Një iniciativë e re ka marrë jetë në brigjet piktoreske të Liqenit të Shkodrës, një prej perlave natyrore jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të gjithë Ballkanit.
“Dita e Hapur e Padel Board”, një aktivitet i ideuar dhe realizuar nga Bashkia e Shkodrës në bashkëpunim me organizata të ndryshme dhe Qendrën e Sporteve Ujore, kishte për qëllim që të afrojë të rinjtë me liqenin, duke e parë atë jo vetëm si një pasuri natyrore, por edhe si një hapësirë për aktivitete sportive, edukative dhe sociale.
Ky aktivitet u mirëprit nga pjesëmarrësit, të cilët përveç argëtimit, patën mundësinë të provojnë një eksperiencë të re sportive dhe një mënyrë të veçantë për të eksploruar bukuritë e Liqenit të Shkodrës. Përmes padel board-it, të rinjtë jo vetëm u njohën me teknikat bazë të këtij sporti, por edhe përjetuan nga afër qetësinë e natyrës që i rrethon.
Organizatorët theksuan se kjo është vetëm një hap i parë drejt krijimit të një tradite të re sportive dhe kulturore në qytet. Sipas tyre, aktivitete të tilla jo vetëm që promovojnë sportin dhe jetën e shëndetshme, por gjithashtu ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e ruajtjes dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të Liqenit të Shkodrës.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm që u vu në dukje ishte edhe rritja e interesit nga turistët për të eksploruar Liqenin e Shkodrës përmes sporteve ujore. Shumë turistë të huaj tregohen të mahnitur nga bukuria dhe potenciali i tij. Kjo, sipas organizatorëve, është një arsye më shumë për të investuar në infrastrukturë sportive dhe aktivitete që e bëjnë liqenin edhe më tërheqës.
Me aktivitete të tilla, Shkodra promovon gjithnjë e më tepër turizmin sportiv./abcnews.al

