Kremlini tha se nuk është në dijeni për një nismë paqeje të Vatikanit për Ukrainën. Kujtojmë se Papa Françesku kishte deklaruar të dielën se Vatikani ishte i përfshirë në përpjekje të matura për t’i dhënë fund konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës dhe gjithashtu është i gatshëm të ndihmojë në riatdhesimin e fëmijëve nga Ukraina, të cilat janë deportuar në Rusi.
“Besoj se paqja arrihet gjithmonë duke krijuar kanale të reja, jo duke qëndruar në vend. Apeli im është që gjithmonë të krijojmë marrëdhënie, kanale të reja miqësie”, deklaroi Papa, duke pohuar se pas një kërkese të Kievit, Selia e Shenjtë po bën përpjekje për të kthyer fëmijët që rusët kanë marrë nga Ukraina në Rusi.
“Paqja është në interesin e të gjithëve. Unë jam i gatshëm të bëj gjithçka që duhet. Një mision tani është duke u zhvilluar, por ende nuk është bërë publik. Do të shohim”, tha Papa gjatë vizitës së tij në Hungari.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve sot se Moska nuk ka informacion në lidhje me këtë iniciativë.
/abcnews.al