Një informator që ka denoncuar presidentin Donald Trump ka deklaruar se Shtëpia e Bardhë u përpoq ta mbante të fshehtë bisedën e zhvilluar mes Trump dhe homologut Zelesnki. Sipas burimit, administrata e Trump nuk ndoqi protokollin tradicional, por zgjodhi një rrugë tjetër për të regjistruar bisedën.
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë u përpoqën të fshihnin të gjitha detajet e bisedës telefonike të zhvilluar mes Donald Trump dhe presidentit ukrainas. Kështu thotë një informator që ka denoncuar kreun e shtetit, sipas të cilit transkriptimi i bisedës nuk u regjistrua në sistemin e zakonshëm kompjuterik, por në një sistem të veçantë të përdorur për informacione të klasifikuara. Gjatë telefonatës, Trump i kërkonte homologut Volodimir Zelenski që të hetonte rivalin e tij politik Xho Bajden, djali i të cilit ishte punësuar në një kompani ukrainase gazi. Lajmi vjen pak ditë pasi kryetarja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nensi Pelozi njoftoi se partia e saj që kontrollon Kongresin do të niste zyrtarisht hetimet për inkriminimin e presidentit Trump. Demokratët e akuzojnë atë se ka kërkuar ndihmë nga jashtë për të përbaltur figurën e zotit Bajden dhe se ka përdorur ndihmën ushtarake për Ukrainën si mjet për të bërë pazare me Kievin. Nga ana e tij, Trump ka pranuar se personalisht kishte bllokuar rreth 400 milionë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën përpara bisedës telefonike me zotin Zelenski, por ka mohuar që kjo lëvizje të kishte qenë një formë presioni që lideri ukrainas të hetonte Bajden. Publikimi i të dhënave nga informatori vjen gjithashtu teksa komisioni i Kongresit për shërbimet e inteligjencës nisi një seancë për të marë në pyetje drejtorin e zgjedhur nga Trump për Inteligjencën Kombëtare, Xhozef Meguajër, i cili fillimisht kishte refuzuar të ndante të dhënat me Kongresin. Presidenti Trump i ka kritikuar proçedurat e inkriminimit, duke i cilësuar një “rreng” dhe “gjueti shtrigash”. /ABC news Albania 24/7