Jemi në prag të nisjes së sezonit turistik por ndotja që po shkaktohet nga mbetjet inerte është kthyer në një problem serioz.
Përgjatë anëve të rrugëve nacionale e kryesisht në brigjet e lumenjeve dhe perrenjve sasira të mëdha mbetjesh të ngurta po bllokojnë jo vetëm rrjedhjen e ujërave, por kanë shkatërruar në mënyrë serioze mjedisin.
Elvis Xhaferri Drejtues i ECO-Project Albania dhe qendrës së monitorimeve të Mjedisit thekson se mbetjet janë hedhur në mënyrë të paligjshme nga kompanitë të cilat nëse kapen penalizohen.
“Këto janë hedhur në mënyrë të jashtëligjshme dhe ligji këtrkon që këto të depozitohen në landfille ndryshe do të ketë penalizime”, është shprehur Xhaferri.
Xhaferri shprehet se një masakër e tillë natyrore ka 30 vite që ndodh dhe duhet të marë fund sa më parë. Akoma më problematike mbetet çështja e trajtimit të mbetjeve inerte te shkaktuara nga prishja e godinave si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit.
Në rastet e shembjes së godinave, mbetjet inerte nuk janë thjesht beton, gurë, apo dhera por ato përmbajnë edhe substanca të tjera si qelq, dru, porcelan, tekstike, profile hekuri e celiku, apo profile alumini të cilat e rëndojnë ndotjen në mjedis.
“Në Shqiperi ka plot vende të tilla me grumbullime inertesh kjo për 30 vite është bërë në mënyrë masive”, ka thënë ai.
Nga një vëzhgim i bërë konstatohet se situata paraqitet dramatike kryesisht pranë Tiranës, ku mbetjet inerte janë hedhur anës urave dhe pranë lumenjeve si ne rastin e Parkut Kombëtar Dajtit apo në fshatin Ardhisht. E njëjta gjendje me Inertet që janë hedhur në mënyrë të jashtëligjshme është edhe në rrugën nacionale Tiranë-Shkodër.
Ndërkohë që në zonat periferike vendet e ndotura janë edhe më të shumta . Kjo zonë është afër fshatit Tapizë, e cila është tansformuar në një zonë me kodra inertesh të hedhura vetëm ditët e fundit. Edhe lumi është mbushur plot me inerte, të cilat zënë shtratin e lumit dhe si pasojë ndikojnë negativisht në ekosistemin natyror të këtyre burimeve ujore. /abcnews.al