Indonezia gjeti të dielën mbetje të avionit që u zhduk të shtunën me 11 persona në bord, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve ANTARA. Forcat Ajrore të Indonezisë thanë se kanë dislokuar një ekip pasi vendi i rrëzimit u identifikua në zonën e malit Bulusaraung, në provincën Sulawesi Jugor.
“Si vijim i gjetjeve, Forcat Ajrore të Indonezisë dislokuan menjëherë pesë ushtarë nga Korpusi i Forcave të Reagimit të Shpejtë (Korpasgat) dhe një pjesëtar nga Basarnas (Agjencia Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit), duke përdorur një helikopter H225M Caracal në vendngjarje”, tha në një deklaratë kreu i Shërbimit Informativ të Forcave Ajrore të Indonezisë, Nyoman Suadnyana.
Ai shtoi se personeli i Korpasgatit ka nisur përgatitjen e masave fillestare të evakuimit pas mbërritjes në vend. Ndërkohë, ekipet tokësore, së bashku me komunitetin lokal, vazhdojnë përpjekjet për kërkim dhe evakuim.
Avioni ATR 42-500, i operuar nga Indonesia Air Transport, humbi kontaktin të shtunën në rrethin Maros, në provincën Sulawesi Jugor, teksa ishte në fluturim nga Yogyakarta drejt Makassarit, kryeqyteti i Sulawesit Jugor.
Avioni po transportonte tetë anëtarë të ekuipazhit dhe tre pasagjerë./abcnews.al


