Nga Vikas Pandey, BBC
India është një nga vendet më të prekura më botë nga koronavirusi pas Shteteve të Bashkuara. Vendi ka tejkaluar mbi 20 milion të infektuar dhe në 24 orët e fundit regjistroi mbi 3 mijë viktima dhe mbi 300 mijë raste me Covid-19.
Spitalet janë në kaos, mungojnë pajisje mjekësore dhe shumica e spitaleve nuk kanë më as shtretër dhe as oksigjen për pacientët. Delhi, është një nga vendet më të prekura në Indi, ndërkohë qeveria federale ka këmbëngulur se nuk ka mungesa pajisjesh mjekësore dhe as oksigjen.
Por sipas ekspertëve mungesa e oksigjenit është vetëm një nga problemet që tregon se qeveritë federale dhe ato shtetërore nuk ishin të përgatitura, pasi nuk arritën të bënin sa duhet për të ndaluar ose minimizuar valën e dytë.
Por në fakt ka pasur paralajmërime të vazhdueshme për situatën e Covid:
-Në nëntor, një komision i përhershëm parlamentar për shëndetësinë tha se kishte mungesa të oksigjenIT dhe shtretërve spitalorë
-Në shkurt, disa ekspertë thanë për BBC se së shpejti do të ndodhte një “cunami Covid”
-Në fillim të marsit, një grup ekspertësh të shkencëtarëve, i ngritur nga qeveria, paralajmëroi zyrtarët për një variant më ngjitës të koronavirusit në vend
Përkundër kësaj, në 8 Mars, ministri i shëndetësisë së vendit paralajmëroi vendin se situate do të vinte duke u përkeqësuar.
Atëherë, pse situata u përkeqësua?
Në janar dhe shkurt, numri kombëtar i rasteve ditore ra nën 20,000 në krahasim me 90,000 në shtator të vitit të kaluar. Kryeministri Narendra Modi deklaroi se vendi kishte mposhtur Covid dhe hapi të gjitha vendet.
Njerëzit kështu nuk respektuan masat. Ndërsa Modi u kërkoi njerëzve të mbanin maska dhe të respektonin distancimin social në mesazhet e tij publike, ai zhvilloi fushata elektorale me turma të mëdha njerëzish.
Shpenzimet e kujdesit shëndetësor të Indisë, përfshirë private dhe publike, kanë përfshirë 3.6% të PBB-së për gjashtë vitet e fundit, përqindja më e ulët në pesë vendet Brics: Brazili shpenzoi më shumë me 9.2%, i ndjekur nga Afrika e Jugut me 8.1%, Rusia në 5.3% dhe Kina me 5% në 2018.
Kombet e zhvilluara shpenzojnë një pjesë shumë më të lartë të PBB-së së tyre për kujdesin shëndetësor. Në vitin 2018, për shembull, shpenzimet në SHBA ishin 16.9% dhe në Gjermani 11.2%. Edhe kombet më të vogla si Sri Lanka (3.76%) dhe Tailanda (3.79%) shpenzojnë më shumë se India.
India ka më pak se 10 mjekë për 10,000 njerëz, dhe në disa shtete shifra është më pak se pesë. Përveç kësaj, zyrtarët thanë se India prodhon oksigjen të mjaftueshëm për të përmbushur kulmin e kërkesës, por transporti ishte problemi.
Qeveria tani po përdor trena të veçantë që transportojnë oksigjen nga një shtet në tjetrin dhe po ndalojnë përdorimin e oksigjenit në industri – por kjo ndodhi pasi shumë pacientë vdiqën për shkak të mungesës së oksigjenit.
Shumë persona kanë kërkuar për oksigjen në tregun e zi dhe disa prej tyre nuk kanë të ardhura për të përballuar çmimin. Mbi të gjitha renditja e gjenomit të virusit është një hap i rëndësishëm në identifikimin e varianteve të reja që mund të jenë më infektiv dhe vdekjeprurës. Konsorciumi Indian SARS-CoV-2 mbi Gjenomikën (INSACOG) u krijua vitin e kaluar dhe përfshiu 10 laboratorë në vend.
Por thuhet se grupi u përpoq të merrte fonde fillimisht. Virologu Jameel thotë se India filloi të merte seriozisht mutacionet shumë vonë. Sidoqoftë, shpresa kryesore e Indisë ishte gjithmonë vaksinimi.
India fillimisht kërkonte të vaksinonte 300 milion njerëz deri në korrik, por deri më tani, vetëm rreth 26 milion njerëz janë vaksinuar plotësisht nga një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh, dhe rreth 124 milion kanë marrë një dozë të vetme.
Qeverisë federale i duhen 615 milion doza për të vaksinuar të gjithë personat mbi 45 vjeç – rreth 440 milion njerëz. Janë 622 milion njerëz midis moshës 18 dhe 44 vjeç, dhe duhen 1.2 miliardë doza për t’i vaksinuar ata.
Sipas ekspertëve është ironike që India është e cilësuar si prodhuesi më i madh i vaksinave në botë dhe tani po përballet me mungesa të vaksinave dhe ilaçeve. E gjithë kjo situatë duhet të shërbejë si alarm për qeveritë federale dhe shtetërore, të cilat duhet të investojnë në mënyrë drastike më shumë në sektorin e kujdesit shëndetësor sepse “kjo padyshim nuk është pandemia e fundit që do të duhet të luftojmë”.
Pandemia e ardhshme mund të vijë më herët seç është parashikuar. Përktheu Sonila Backa-abcnews.al