Indeksi i Inovacionit Global 2021, Shqipëria hapa prapa, e fundit në rajon

schedule07:23 - 24 Shtator, 2021

schedule 07:23 - 24 Shtator, 2021

Shqipëria bën hapa prapa në Indeksin e Inovacionit Global (GII) për vitin 2021. Ajo renditet në vendin e 84, nga vendi i 83 një vit më parë, ndërsa krahasuar me vendet e rajonit, ajo vijon të qendrojë e fundit.

Ky është edicioni i 14-të i Indeksit, i publikuar nga Organizata Botërore për Pronësi Intelektuale (WIPO), në bashkëpunim me INSEAD dhe Universitetin Kornel, i cili rendit 132 vende sipas 81 indikatorëve nga burime publike dhe private ndërkombëtare.

Si vlerësohet Shqipëria

Shqipëria renditet në vendin e 84, duke u vlerësuar me 28 pikë.

Sa i përket inovacionit në institucione, vendi ynë renditet i 60-i, vlerësuar me 64.9 pikë.

Në këto elemente përfshihen mjedisi politik, mjedisi rregullator, efektiviteti i qeverisë, sundimi i ligji, kostoja e largimit nga puna, mjedisi i biznesit, lehtësia e fillimit të një biznesi dhe lehtësia e zgjidhjes së falimentimit.

Në elementin e dytë, kapitali njerëzor dhe kërkimi, renditemi në vendin e 90, vlerësuar me 22.7 pikë.

Në elementin e dytë janë marrë për studim arsimi, financimi qeveri-studentë, raporti nxënës-mësues, jetëgjatësia në shkollë, arsimi tercial, të diplomuarit në shkencë dhe inxhinieri, renditja e universitetit etj.

Për infrastrukturën, në vendin e 62, me 43 pikë. Në këtë element përfshihen qasja dhe përdorimi i TIK, shërbimi online i qeverisë, pjesëmarrja online, performaca e logjistikës.

Për sofistikimin e tregut dhe biznesit, përkatësisht në vendin e 79 e 68, vlerësuar me 44.1 dhe 25 pikë.

Në sofistikimin e tregut janë marrë në konsideratë lehtësia e marrjes së kredisë, investimi, kapitalizimi i tregut, investitorët e kapitalit të sipërmarrjes, diversifikimi dhe shkalla e tregut etj. Ndërsa sofistikimin e biznesit skanohen të punësuarit në shkencat e dijes, kompanitë që ofrojnë trajnime zyrtare, të punësuarit me grada të larta, importet neto të teknologjisë së lartë, investimet e huaja direkte, kërkimi për talente si përqindje në një biznes, etj.

Shqipëria është vlerësuar me 12 pikë për produktet finale në kërkim dhe teknologji, duke u renditur më dobët se të gjithë elementet e tjerë, ne vendin e 103.

Ky element lidhet me patentat e shpikjeve të regjistruara sipas origjinës, modelet e përdorimit sipas origjinës, pronësia intelektuale, eksportet në inovacion dhe teknologji, investimet shqiptare që shkojnë drejt vendeve të tjera, ndikimi i njohurive, shpenzimet për softuer, certifikatat e cilësisë ISO.

Dhe në vendin e 81 për elementin e fundit: produkte krijuese, vlerësuar me 20.3 pikë.

Në këtë element përfshihen markat tregtare sipas origjinës, vlera e markës globale, produktet dhe shërbimet krijuese, eksportet e produkteve krijuese, kreativiteti online, korigjimet në Wikipedia, krijimi i aplikacioneve celular.

 

Vendet e rajonit

Mali i Zi renditet në vendin e 50, duke u vlerësuar me 35.4 pikë. Serbia në vendin e 54, vlerësuar me 35 pikë, ndërsa Maqedonia e Veriut në vendin e 59, me 34.1 pikë.

Vendi më inovator

Zvicra është renditur si vendi më inovator për 11 vite me radhë, pas së cilës renditet Suedia dhe Shtetet e Bashkuara.

“Ndryshimet që ndodhin midis ekonomive kryesore janë të jashtëzakonshme,” tha Bruno Lanvin, anëtari i INSEAD dhe bashkautori i raportit.

“Përveç kërcimit spektakolar të Republikës së Koresë (nga vendi i 10 -të në vendin e 5-të), konfirmohet vazhdimi i përparimit të bërë vitin e kaluar nga Franca (11) dhe Kina (12), pasi të dyja tani janë në prag të Top 10 të GII”.

“Në tërësi, COVID nuk i prishi tendencat e identifikuara në vitin 2019-2020, pasi financimi (publik dhe privat) vazhdoi të mbetet relativisht i lartë për kompanitë inovatore, edhe jashtë fushave të shëndetësisë dhe bio-shkencave.”/Monitor

10 vendet më inovatore

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!