Hetuesit në Francë kanë marrë në dorëzim kutitë e zeza të avionit etiopian që u rrëzua 4 ditë më parë në vendin afrikan. Përmes analizës së të dhënave të dy objekteve, ekspertët do të mundohen të hedhin dritë mbi shkaqet e rrëzimit të “BOINGUT 737 MAKS 8”.
Kutitë e zeza të avionit të linjës ajrore etiopiane që u rrëzua ditën e diel në Adis Ababa janë dërguar në Paris për t’u analizuar. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kompania ajrore, një ditë pas refuzimit të Gjermanisë për t’i pranuar ato. Enti federal gjerman për incidentet ajrore deklaroi se nuk mund t’i pranonte objektet për shkak të mungesës së softuerit të duhur për të bërë analizën.
Dy kutitë, që regjistrojnë aktivitetin e fluturimit të avionit, në këtë rast një “Boeing 737 Max 8”, janë dëmtuar si pasojë e rrëzimit dhe hapja e tyre rezultoi një proces kompleks për autoritetet etiopiane. Rrjedhimisht, vendi afrikan shprehu dëshirën për t’i dërguar në Europë, pasi nuk dispononte teknologjinë e duhur për leximin e të dhënave. Ndërkohë, një ditë më parë edhe Shtetet e Bashkuara vendosën të ndërpresin përdorimin e modelit “737 Max” dhe vetë “Boeing” konfirmoi se do të mbajë në tokë të gjithë flotën e avionëve.
Incidenti i së dielës ndodhi fare pak momente pasi avioni ishte ngritur në ajër nga aeroporti i kryeqytetit Adis Ababa dhe i mori jetën 157 personave të 35 kombësive të ndryshme që ndodheshin në bord. Ai ishte aksidenti i dytë brenda 5 muajsh që përfshinte një avion të modelit “737 Max” dhe disa agjenci aviacioni kanë konstatuar ngjashmëri mes dy rasteve./abcnews.al