Incident në komision, Alibeaj: Garda nxirreni jashtë zonjën. PS largohet, Kuvendi i heq sinjalin

schedule12:33 - 27 Tetor, 2021

schedule 12:33 - 27 Tetor, 2021

Është tensionuar situata në mbledhjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit. PS kërkoi pushim për herë të dytë, por kjo nuk u pranua nga Alibeaj, duke bërë që maxhoranca të largohet nga mbledhja. Megjithatë kjo nuk e ka penguar PD që të vijojë me pikat e tjera të rendit të ditës, pa praninë e maxhorancës.

Lexo edhe: “25 prilli”, maxhoranca braktis mbledhjen, rikthehet pas disa minutash

Teksa PD vijoi me rendin e ditës, administrata e Kuvendit ka dashur t’i ndërpresë sinjalin e mbledhjes për transmetim për mediet. Drejtoresha e shërbimeve të Komisioneve Parlamentare, Lefterie Luzi u fut në mbledhje duke i kërkuar Alibeajt ta ndërpriste pasi nuk plotësonte kuorumin pas largimit të PS. Kjo ka bërë që Alibeaj të acarohet dhe ta nxjerrë jashtë me anë të gardës Luzin. Ndërkohë Alibeaj ka paralajmëruar se do të ketë kallëzim penal për këdo punonjës të administratës së Kuvendit që vendosi të ndërpresë transmetimin.

Kam një vërejtje ndaj administratës mbledhja ka filluar është çelur me kuorum, ju keni detyrat tuaja për të vazhduar transmetimin e mbledhjes kur kryetari i komisionit të deklarojë fundin e saj. Nëse do merrni urdhra të paligshme për të ndërprerë sinjalin do ushtron të drejtat e mia për gjithkënd nga ju deri në kallëzim penal. Mos u bëni pengesë për vazhdimin. Lush je ti  që vjen këtu e na thua. Zonjën garda nxirreni jashtë, nuk është deputete dhe ka marrë vërejtje nga kryetari. Garda zbatoni urdhrat e kryetarit”, urdhëron Alibeaj me tone të ashpra.

Pavarësisht kësaj, pasi garda ka nxjerrë jashtë Luzin, Kuvendi ka ndërprerë transmetimin e mbledhjes së Komisionit sapo deputetët e PS janë larguar për së dyti. Pavarësisht paralajmërimeve të kreut të Komisionit, transmetimi në faqen e “Facebook” të Kuvendit të Shqipërisë është ndërprerë pas debatit mes Alibeajt dhe Drejtoreshës së Shërbimit në Kuvend.

Lexo edhe: “25 prilli”, Gogu kritikon Alibeajn: Mblidhni veten urgjentisht, jo show politik, zbatoni ligjin

Ndonëse mbledhja filloi me diskutime me tone të qeta, sërish nuk është gjetur dakordësi lidhur me zbatimin e rregullores. Si duket edhe mbledhja e sotme po dështon pas asaj të fundit e cila u mbyll gjithashtu pa një vendimmarrje. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!