Inceneratorët që djegin para në vend të mbetjeve

schedule17:29 - 16 Shkurt, 2022

schedule 17:29 - 16 Shkurt, 2022

Nga Mentor Kikia

Një hetim parlamentar është duke konfirmuar ditë pas dite çfarë ishte denoncuar në media më herët, e madje duke shtuar edhe fakte që e bëjnë aferën e inceneratorëve jo vetëm më të madhen, por edhe më naiven, në kuptimin e mënyrës se si janë abuzuar paratë. Pasi abuzimi është i standardit të Sudes dhe Rrapush Xhaferrit, në firmat piramidale 1994-1996.

Historia e kësaj afere mund të përmblidhet në pak paragrafë:

-Tre njerëz që kanë vetëm një NIPT dhe një zyrë, befas bëhen ideatorët dhe zotëruesit e një industrie mbi 400 milion Euro, me para publike.

-Të afërm të ish zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit që punësohen pranë tyre, me paga marramendëse për kushtet e tregut.

-Media dhe analistë që ushqehen nga inceneratorët më buxhete të përmuajshme, pa publikuar asnjë reklamë.(Çfarë mund të reklamojnë në fund të fundit)

-Rreth 1 milion Dollarë bileta avioni, për udhëtime në vitin e pandemisë, kur askush nuk lëvizte.

-Aktualisht në Shqipëri nuk digjet asnjë qese me mbeturina, por inceneratorët vazhdojnë të hanë paratë e buxhetit të shtetit.

-Dhe në fund, dy autorët kryesore të kësaj skeme, ikin pak ditë para se të dalë urdhër arresti, zbrazin edhe kasafortën duke lënë në llogari vetëm 5000 Euro dhe “zhduken”.

Këtu nuk ka më asnjë dyshim mbi çfarë ka ndodhur, por fjalën duhet ta thotë SPAK. Ish ministri Lefter Koka, që ndodhet në burg, nuk akuzohet për “aferën e inceneratorëve”, pra për ideimin e kësaj skeme gjigande vjedhjeve, por thjeshtë sepse dyshohet se mori rryshfet nga pronarja e inceneratorit të Elbasanit, me gjasë për shpejtimin e procedurave. Pra ai nuk mjafton ta justifikojë të gjithë këtë mekanizëm.

Megjithatë, shkon apo jo në burg njeri për këtë skandal, kjo është tjetër çështje. Por, po kaq flagrante sa ç’është kjo aferë, me çfarë dimë deri tani, është edhe devijimi i politikave mjedisore për menaxhimin e mbetjeve.

Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, miratuar në 2011, rishikuar sëbashku me Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin e Mbetjeve në 2018, dhe Plani Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve 2020, parashikojnë të gjithë një piramidë për menaxhimin e mbetjeve, bazuar në direktivat e KE-së, ku menaxhimin fillon me Parandalimin, Ripërdorimin, Riciklimin, Rikuperimin dhe në fund Depozitimin apo Incenerimin.

Të gjithë ligjet dhe strategjitë, parashikojnë se deri në vitin 2018, Shqipëria duhej të kishte zbatuar ndarjen e mbetjeve në burim, për të veçuar ato të riciklueshmet nga mbetjet organike, të biodegradueshme. Asgjë nga këto nuk ka ndodhur!

Ministria e Mjedisit, aktualisht, mbështet projekte për sipërmarrës dhe OJF për të nxituar edukimin qytetar për ndarjen e mbetjeve në burim dhe rritjen e shkallës së riciklimit të tyre.

Por, përkundër ligjeve që miratojmë, duke iu përafruar atyre europiane, në terren ne ecin në drejtimin e kundërt. I japim prioritet incenerimit, duke investuar në impiante si ato që janë bërë sot objekt i skandaleve financiare. Përse duhet ti ndajmë mbetjet në disa kategori, kur do ti dërgojmë në lendfill apo incenerator?

Ku jemi sot? Incenetartorët nuk punojnë, edhe ata që janë ndërtuar. Në mbi 35% të territorit mbetjet nuk grumbullohen fare. Riciklimi është drejt reduktimit, pasi mbetjet nuk ndahen në mënyrtë të diferencuar dhe bashkitë godasin grumbulluesit informalë të mbetjeve të riciklueshme.

Në këto kushte qeveria i është dorëzuar një moratoriumi, si ai i ndalimit tërësor të përdorimit dhe prodhimit të qeseve, me shpresën që të bëhemi vendi i parë në Europë pa qese. Por megjithatë do të vazhdojnë të jemi vendi më i pistë në Europë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!