Inati me Shqipërinë dhe si u rikthye, Broja rrëfen të pathënat dhe ëndrrën e babait

schedule16:18 - 29 Shtator, 2022

schedule 16:18 - 29 Shtator, 2022

Armando Broja është rrëfyer në “Players Tribune Football” dhe zbulon që i vogël i kishin thënë se nuk ishte mjaftueshëm i mirë për Shqipërinë, madje kishet menduar të mos vinte më. Gjithsesi më pas u bind nga babai i tij dhe u bë pjesë e kuqezinjve për t’u treguar edhe se kishin gabuar me të.

“Kur isha 15-vjeç, shkova në prova te Kombëtarja e Shqipërisë. Ata më thanë: “Nuk je i mirë mjaftueshëm”. Dy vite më vonë, kur isha 17 vjeç, babai më tha: “Si mendon, do ta provojmë edhe njëherë?”. Në kokën time ishte ideja: “Nuk dua të iki atje sepse ata më thanë që nuk jam i mirë mjaftueshëm”.

Pas një jave shkova te babai dhe i thashë: “Mirë, unë do të shkoj, por thjesht do t’i provoj që ata gabuan me mua”. Kur shkova, ata më thanë: “Ne kemi gabuar më para, nuk prisnim që të bëheshe kaq i mirë”.

Pastaj i thashë: “E di çfarë? Do të qëndroj me ju”! Shkova deri te U21 i Shqipërisë, pastaj më kërkoi Anglia U-21 dhe ishte e çuditshme, se në të njëjtën kohë më kërkoi direkt edhe ekipi i parë i Shqipërisë. Zgjodha vendin tim, zgjodha vendin e prindërve të mi.

Kur luan për vendin tënd është gjëja më e madhe që ti ke. Ke një shtet të gjithë pas krahëve. Babai më ka thënë vetëm diçka: “Nuk dua ta lësh futbollin pa e dërguar njëherë Shqipërinë në Botëror”. Jo për ta fituar, thjeshtë për të shkuar. Shqipëria nuk ka shkuar ndonjëherë në Botëror dhe për ne nëse shkojmë, do të jetë si ta kemi fituar”, është shprehur Broja. / abcnews.al