Imzot Angelo Massafra: Sivjet, kujtimi i Lindjes së Krishtit shënohet prej vuajtjes fizike dhe ekonomike

schedule11:40 - 23 Dhjetor, 2020

schedule 11:40 - 23 Dhjetor, 2020

Imzot Angelo Massafra OFM, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult në prag të festës së krishtlindjeve ka një mesazh të veçantë urimi për të gjithë.

Në këtë kohë pandemie ai bën me shumë thirrje për durim dhe forcë për të përballuar këtë situatë të vështirë në të cilën ndodhet bota.

Lutjet e Imzot Angelo Massafra shkojnë në veçanti për të gjithë të sëmurët me Covid, të vetmuarit dhe të burgosurit.

Mesazhi i plotë i urimit:

Sivjet, për fat të keq, kujtimi i Lindjes së Jezu Krishtit shënohet prej vuajtjes fizike, psikologjike dhe ekonomike, që pandemia ka shkaktuar në krejt planetin dhe në Shqipërinë tonë një hije e zezë që dritat e festat me zor arrijnë ta largojnë.

Edhe këtë vit, do të vijë momenti kur do të fiken dritat e zbukurimeve, por nuk do të fiket drita e shpresës te ai që nuk do të jetë ndalur vetëm te aspektet e jashtme të kësaj feste. Ai që, i shtyrë prej fesë, ndërsa do ta ketë pranuar Jezusin si “dritën e vërtetë që shndrit çdo njeri” (krh. Gjn 1, 9) do të vazhdojë ta shijojë këtë dritë edhe kur do të fiken të gjitha dritat e tjera. Ai që ngrohet prej kësaj Drite, nuk i druhet të ftohtit që lë çdo kthim në normalitet, pasi e di se do të ngrohet prej burimit të shpresës.

Drita e Krishtit nuk verbon me arrogancë, siç bëjnë dritat tona artificiale, por Drita e Krishtit i jep formë dhe ngjyrë realitetit, edhe kur ai është i trishtë dhe i dhimbshëm, me qëllim që me shikimet tona ta përkëdhelim me butësi dhe dhembshuri atë.

Në fakt, shpresa e vërtetë, nuk është qorre: por, ndërsa dallon realitetin e dhimbjes, di t’i kërkojë ndihmë fesë për ta lexuar këtë realitet me sytë e Hyjit, që janë sytë e një Ati të mirë dhe të mëshirshëm; di t’i drejtohet dashurisë që na vë në lëvizje për t’u kujdesur për veten tonë dhe për të tjerët me të njëjtën dashuri me të cilën Hyji kujdeset për të gjithë ne.

Urimi im për këtë Krishtlindje të Zotit 2020 është që kremtimi i kësaj feste, ndërsa na kujton “Kush është Jezusi që kremtojmë”, na bëftë që të rritemi nëshpresë, për ta parë pa ankth këtë moment kaq të vështirë që jemi duke kaluar; na bëftë të fortë nëfe, për ta përballuar këtë moment me besimin e atij që vë çdo siguri në Provaninë e Hyjit dhe në fuqinë e tij; na bëftë punëtorë të dashurisë, nëpërmjet respektit ndaj të afërmit dhe përkujdesjes ndaj sigurisë së tij, si dhe nëpërmjet veprave të mëshirës shpirtërore dhe trupore.

Një mendim të veçantë ua drejtoj të gjithë juve që po vuajni për shkak të kësaj sëmundjeje në shtëpi apo në spital, të humbjes së njerëzve tuaj të afërm, të vështirësive tuaj ekonomike që rrjedhin nga pandemia; në lidhje me këtë, një ftesë të veçantë dua t’ua drejtoj të gjithë juve që jetoni me tregti, me qëllim që të mos e vështirësoni këtë situatë duke ngritur çmimet, sidomos të mallrave të nevojës së parë si edhe të ilaçeve.

Kujtoj në lutjen time personat e moshuar dhe të vetmuar, si dhe të burgosurit që të mos e humbasin shpresën për një jetë më të mirë dhe më të virtytshme.

Përshëndes juve, politikanët dhe qeveritarët e Shtetit tonë, në nivelin Qendror dhe Vendor, duke ju ftuar të gjithë që të jeni shembull për interesimin që duhet të tregoni ndaj të mirës së përbashkët dhe ndaj më nevojtarëve, si përshëndes edhe të gjithë juve burrat e gratë e kulturës, ju ftoj që ta doni më shumë këtë popull tonë duke bashkëndarë dhe duke përçuar jo vetëm informacione, por edhe pasion për të bukurën dhe të mirën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!