Ish-kryetari i parlamentit të Maqedonisë së Veriut Trajko Velianovski, u ka kërkuar kolegëve të tij deputetë që të mos votojnë pro tërheqjes së imunitetit. Ai akuzohet se ka marrë pjesë në trazirat e 27 Prillit të 2017-s.
Komisioni Parlamentar për Mandate dhe Emërime debaton për kërkesën për marrjen e imunitetit ish-kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanovski, deputet i VMRO-DPMNE-së i cili u ndalua si i dyshuar për ngjarjet e 27 Prillit të vitit 2017. Nuk e bindi prokurorinë që nuk ka lidhje me ngjarjet e 27 Prillit, e u mundua që ta bindë Komisionin parlamentar me një fjalim 20 minutash që mos t’ia heqin imunitetin. Deputeti Trajko Veljanovski, tha që ka vepruar në bazë të rregullores, kurse nuk sheh asgjë të keqe në porositë që dolën në publik ku ka komunikuar me ish kryetarin e VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevskin.
Trajko Veljanovski: Telefoni im është marrë në fund të Nëntorit të 2017-s. Është ekzaminuar, u thirra në Prokurori që të jap dëshmi, nuk dua të gabohem, por mendoj se ka qenë në Janar të 2018-s. Unë doja të largohesha pas kësaj që ndodhi, në një mënyrë shumë më normale dhe më të mirë nga posti kryetar i Kuvendit.
Por fjalimi i Veljanovskit nuk i bëri përshtypje deputetit Goran Micovski. Ai madje kishte marrë një gur me vete për ta ilustruar se çfarë kanë pësuar natën e 27 Prillit.
Goran Misovski: Ky peshon mbi 300 gram dhe ka forcë më të madhe vrasëse se një plumb, ra para këmbeve mia. A ia vlen që për hir të çfarëdo procedure, dikush të organizojë një situatë që të vriten deputetë?
Debati vazhdoi me akuza dhe kundër akuza nga të dyja palët, e kryetari i Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, Pavle Bogoevski, disa herë duhej t’i rikujtonte palëve se gjykimin do ta bëjnë organet kompetente, e jo Kuvendi.