Ilir Daja, Shpëtim Duro dhe Andrea Agostineli janë alternativat për të zëvendësuar Skënder Gegën tek Partizani. Mbetet e paqartë situata tek Tirana, pasi e ardhmja e trajnerit Mema është në dyshim.
Largimi i trajnerit Skënder Gega nga Partizani rezultoi si një rrufe në qiell të hapur. Ish-tekniku i te kuqve e riktheu skuadrën në majën e futbollit shqiptar, ndërkohë që u largua për arsye personale. Në kampin e të kuqve janë në garë me kohën për të firmosur me trajnerin e ri, pasi skuadra duhet të përgatitet për ndeshjet eleminatore të Champions League. Nga trajnerët shqiptarë, Ilir Daja dhe Shpëtim Duro janë dy alternativa konkrete dhe mëse të arritshme. Nuk përjashtohet as rikthimi i trajnerit Italian, Andrea Agostineli i cili e ka dretjuar Partizanin në vitin 2016. 62 vjeçari drejtoi më pas Skënderbeun, por nuk i përmbushi pritshmëritë.
Një dilemë e madhe paraqitet tek skuadra tjetër kryeqytetase Tirana, ku e ardhmja e trajnerit Ardian Mema është në pikëpyetje. Humbja ndaj Kukësit ne finalen e kupës së Shqipërisë ka lëkundur pozitat e teknikut në stolin e bardhebluve. Zhgënjimi ishte aq i madh saqë Mema nuk pranoi të merrte medaljen pas ndeshjes duke braktisur ceremoninë. Madje kreu i pankinës së kryeqytetasve refuzoi të udhëton me autobusin e skuadrës dhe u largua nga Elbasan Arena me makinë private. Trajneri i Tiranës e ka paralajmëruar largimin nga skuadra duke bërë të ditur se nëse nuk gjen gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit do të jepte dorëheqjen.
Ndryshe paraqitet situata tek skuadra e Skënderbeut. Dështimi në sezonin aktual nuk i faturohet vetëm trajnerit Orges Shehi i cili ka besimin e plotë të presidentit Takaj. Juglindoret janë të varuar nga vendimi që do të japë KAS. Nëse shpallen të pafajshëm pritet një rrotacion në skuader ku mund të prekë edhe trajnerin Shehi. /ABC News Albania 24/7