Ilaçi anti-covid, Britania nis menjëherë përdorimin

schedule15:42 - 4 Nëntor, 2021

schedule 15:42 - 4 Nëntor, 2021

Pilula e parë, e krijuar për të trajtuar simptomat e sëmundjes COVID-19, është miratuar nga rregullatori i barnave në Britaninë e Madhe.

Tableta Molnupiravir do t’u jepet dy herë në ditë pacientëve në rrezik.

Në provat klinike, pilula, e krijuar fillimisht për trajtimin e gripit, ka përgjysmuar rrezikun e shtrimit në spital ose të vdekjes.

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid, tha se trajtimi është një “ndryshues loje” për njerëzit me imunitet të dobët.

“Sot është një ditë historike për vendin tonë, pasi Britania e Madhe është tashmë vendi i parë në botë që miraton një antiviral për sëmundjen COVID-19, që mund të merret në shtëpi”, tha Javid.

Molnupiravir, i zhvilluar nga kompanitë amerikane të barnave Merck, Sharp dhe Dohme (MSD), si dhe nga Ridgeback Biotherapeutics, është medikamenti i parë antiviral për COVID-19, që mund të merret si pilulë, në vend që të injektohet ose të jepet në mënyrë intravenoze.

Britania e Madhe ka rënë dakord që të blejë 480,000 kuti, ndërsa dërgesat e para pritet t’i arrijnë kah mesi i nëntorit.

Pilula duhet të jepet brenda pesë ditësh nga zhvillimi i simptomave, për të qenë më efektive./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!