Idrizi pas takimit me Gacek: Shqipëria në krizë, Rama përdor shtetin për fushatë

schedule17:18 - 1 Prill, 2021

schedule 17:18 - 1 Prill, 2021

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi priti sot në një takim shefen e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021, Ursula Gacek.

Në një komunikim për mediat Idrizi, tha se ka informuar shefen e ODIHR për problemet që po hasen gjatë fushatës elektorale, të denoncuara më parë nga PDIU.

Kreu i PDIU ka denoncuar tentativat për blerjen e votave, përdorimin sipas tij të administratës publike e cila nga 120 mijë të punësuar, në muajt e fundit ka shkuar në 180 mijë thjesht e vetëm për vota, përdorimin e resurseve publike, të fondeve të shtetit në fushatë si dhe angazhimin e elementëve kriminalë në zgjedhje, për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve.

“Vlerësuam misionin e ODIHR në vendin tonë, shpjeguam që Shqipëria është në krizë të rëndë politike ekonomike, sociale dhe emigrimi. Në Shqipëri janë prishur ekuilibrat e demokracisë. Shqipëria ka sot një demokraci hibribe, jemi në kufijtë e një regjimi. Po hyjmë në këtë klimë politike konfliktuale, ku Edvin Rama po përdor të gjithë shtetin përmes punësimeve, siç është rritja e numrit të punonjësve të administratës publike nga 120 mijë në 180 mijë. Rreth 30 mijë qytetarë janë punësuar në administratë vetëm muajt e fundit.

Konstatova se, siç është thënë edhe nga ODIHR në raportin e 2017-ës, shohim sërish shitblerjen e votës, fenomen ky mjaft i rrezikshëm për standardet e zgjedhjeve. Kemi përdorimin e burimeve të shtetit siç është dhënia e legalizimeve për vota, përdorimi i fondeve publike sa për efekt elektoral, gjithashtu shpërndahen ndihma, shpërndahen para në funksion të zgjedhjeve, duke përdorur të gjitha format e influencës të paligjshme në fushatë dhe duke ushtruar një presion të jashtëzakonshëm tek ato që janë në punë shteti.

Elementët kriminalë në zgjedhje janë një tjetër shqetësim i denoncuar nga ne dhe opozita në tërësi. Mosndëshkueshmëria e dosjes 184 ka inkurajuar sërish elementët e krimit të ndërhyjnë edhe në këto zgjedhje. Këto parregullsi ne po i vërejmë tani dhe cënojnë në tërësi klimën parazgjedhore”, u shpreh Idrizi.

Gjithashtu Idrizi kujtoi grabitjen e mandatit të PDIU në vitin 2017 në Qarkun e Tiranës, sipas tij nga komisionerë partiakë.

“Shqipëria ka eksperiencë negative me administrimin zgjedhor, siç janë problemet e numërimit të cilat ekzekutuan mandatin e PDIU-së në vitin 2017 në Qarkun e Tiranës, prej numëruesve të Partisë Socialiste. U ndalëm edhe në rëndësinë e çështjes së identifikimit të votuesve. Bëmë me dije problematikën e heqjes së numëruesit për PDIU në komisionet e numërimit të votave. Do ishte mjaft e rëndësishme që kopjet e kamerave gjatë numërimit të votave ruheshin, që kjo të shërbente si provë për ankimimet, por edhe procesi i numërimit të transmetohej në kohë reale, ku çdo forcë politike të kishte mundësinë t’i numëronte edhe vetë votat, përmes livestream”, deklaroi ndër të tjera Shpëtim Idrizi.

Nga ana saj, shefja e misionit vëzhgues të ODIHR, Ursula Gacek, garantoi se për çdo problematikë që lidhet me procesin e administrimit zgjedhor, do të ketë një kontakt të vazhdueshëm nga misioni si dhe do të administrohet çdo provë apo denoncim nga forcat politike.

“Inkurajojmë çdo lloj denoncimi që vjen nga partitë politike në fazën parazgjedhore. Misioni i ODIHR do të ketë kontakte të vazhdueshme me qëllim adresimin e të gjitha atyre problemeve që mund të cenojnë procesin elektoral. Kemi theksuar se me rëndësi për Shqipërinë është që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet mbeten kushti kryesor për rrugëtimin europian të vendit”, tha ajo.

 

 

 

/abcnews.al/