Idrizi i përgjigjet Ramës: Qenie pa gjak shqiptari mblidh pëllumbat, ishe i dështuar që në nisje

schedule18:07 - 9 Mars, 2021

schedule 18:07 - 9 Mars, 2021

Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama. Në një status në Facebook, Idrizi shkruan se lideri i Surrelit ka përmendur sot atë dhe znj. Mesila Doda në muhabete të dehurish nga pija, pushteti ose substanca të tjera.

Ai e cilëson Ramën qenie pa gjak shqiptar që përgojon kundërshtarët dhe bashkëpunëtorët duke treguar pasiguri. Idrizi thotë se Rama duhet të mbledhë pëllumbat dhe tejkalojë veten për të kuptuar njëherë e mirë që ishte i dështuar që në nisje të këtij rrugëtimi.

“Reagim i PDIU Tiranë: Edvin Rama, rrugëtimi yt “rrumpallhane” me Shqipërinë e shqiptarët përfundon më 25 prill Lideri i Surrelit Edvin Rama duke komentuar listat e fabrikuara në bodrumin e tij në Surrel ku edhe dielli hyn me pasqyra, ka përmendur sot kryetarin e PDIU-së z. Shpëtim Idrizi dhe znj. Mesila Doda, njërin si fosil të politikës e tjetrën si Desdemona e të tjera muhabete të dehurish nga pija, pushteti ose të tjera substanca stimuluese që të japin siguri sikur je më i forti, më i miri, e të ngjashme.

Ti Edvin, si një qenie pa gjak shqiptari, si njeri i gjatë në shtat dhe i shkurtër në shpirt e në mendime, duke ndjerë se pushteti yt i Facebook-ut dhe WhatsApp-it po mbaron, përgojon si kundërshtarët, ashtu edhe bashkëpunëtorët si Bushati, Leli, Musai, Xhafaj, etj. duke treguar pasiguritë e tua, makthin e tmerrshëm që të pret. I pështirosur nga të gjithë, ke mashtruar, bullizuar, anatemuar kurdo dhe këdo që nuk bie pre e pazareve të tua, shantazheve, programeve të tua 3D, që edhe Elisa e “botës së çudirave” do t’i refuzojë pas 25 prillit se edhe ajo e kupton që koha jote ka përfunduar dhe kësaj radhe nuk ke më asnjë alibi.

Ndaj mblidh pëllumbat e mos u hallakat shumë nëpër bodrume pa ajër e pa substancë, por tejkalo veten dhe kupto njëherë e mirë që ishe i dështuar që në nisje dhe ky rrugëtim “rrumpallhane” që bërë me Shqipërinë e shqiptarët përfundon më 25 prill. Në jetën e tretë merru me pëllumbat e Surrelit se punët e tjera nuk janë për ty. Shqipëria fiton duke të lënë ty në shtëpi në vetminë tënde të madhe. Kaq për sot!”, përmbyllet reagimi./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!