Idrizi flet për paktin që arriti me Bashën: “Tirja” po kërcënon dhe josh simpatizantët e PDIU-së

schedule17:52 - 12 Shkurt, 2021

schedule 17:52 - 12 Shkurt, 2021

Nga Juxhin Mustafaraj

Shpëtim Idrizi e cilëson të përmbyllur marrëveshjen politike me Lulzim Bashën për të qenë pjesë e koalicionit opozitar në zgjedhjet e 25 prillit. Për ABC, Idrizi flet për negociatat me kreun e demokratëve dhe mohon që në tryezë të ketë diskutuar për vende të sigurta në listat e koalicionit.

“Ajo që unë mund ta konfirmoj, është që PDIU do të hyjë në zgjedhje në një aleancë me PD. Nuk bëhet fjalë që PDIU kërkon vende në listë të sigurt” tha ai.

Lista me votat e PDIU në zgjedhje janë dorëzuar në zyrën e Bashës, por pretendimet e çamëve për mandatet janë në 5 qarqe.

“Ne kemi studiuar dhe po studiojmë sidomos në këto 5 qarqe, Tirana, Elbasani, Durrësi, Fieri dhe Vlora, ku kontributi i PDIU-së është i qenësishëm për koalicionin opozitar për të rritur numrin e mandateve dhe ne e vlerësojmë këtë lloj kontributi. Rasti i Dibrës nuk ishte i PDIU dhe që në fillim u deklarua se është i PS-së, nuk futen në këto llogari elektorale” tha ai.

Në kohën kur gara duhet të ishte për programe, Idrizi flet se në terren njerëzit e PDIU-së po intimidohen.

“Ka një sulm direkt nga “Tiret” e “shportës së fiqve”, por edhe në qarqe të tjera, për të intimiduar dhe kërcënuar simpatizantët e PDIU-së. Ka raste kur bëjmë takime në një zonë të Tiranës mundohemi të mos i shfaqim, pasi sa mbaron takimi merr “shporta e fiqve apo qershive”, i kërcënon, afron, i josh” tha ai.

Aleatët e Bashës janë duke përmbushur detyrimin ligjor për tu regjistruar në KQZ brenda 15 shkurtit, ndërkohë që deri në 24 shkurt, Lulzim Basha do të duhet të dorëzojë listën e koalicionit të tij për zgjedhjet e 25 prillit./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!