Simon Kjaer është përforcimi i Milanit për repartin e mbrojtjes. Danezi ia ka dalë të realizojë ëndrrën e tij për të luajtur me kuqezinjtë e famshëm. Në një prononcim për Milan TV, 30-vjeçari prek disa tema, që nga idhujt e tij, ndryshimi që po ndodh në Serie A dhe Zlatan Ibrahimovic.
MILANI – “Milani është një klub me histori dhe këtu kanë luajtur disa nga kampionët më të mëdhenj të historisë së futbollit. Këtu kanë qenë ndoshta mbrojtësit më të fortë: Maldini, Nesta dhe Baresi. Aktivizimi me Milanin ka qenë një ëndërr e imja prej vitesh, ky është shkaku pse bëra këtë zgjedhje. Kam biseduar me Tomasson dhe ai më foli fjalët më të mira për Milanin dhe qytetin. Frymëzohem nga Paolo Maldini”.
SERIE A – “Lojtarë të fortë kanë filluar të vijnë në Serie A dhe skuadrat italiane po paraqiten më mirë në Europë. Nuk luhet më një futboll i mbyllur në mbrojtje dhe me kundërsulme. Tani luhet më shpejt dhe zhvillohet një futboll modern”.
NUMRI 24 – “Kam filluar të luaj në Danimarkë me numrin 4, ishte i njëjti numër që mbante veshur edhe babai im kur luante futboll. E kam kërkuar gjithmonë kur kam ndryshuar ekip. Nëse nuk e gjeja, atëherë merrja numrin 14, 24, 34… Te Milani ishin të lirë numrat 14 dhe 24, por babai më këshilloi të zgjidhja 24-n, sepse me një numër të tillë e nisa aventurën time në Itali”.
IBRAHIMOVIC – “Zlatan Nuk ka nevojë që unë apo persona të tjerë të tregojmë se sa i fortë është. Është 38-vjeç, nuk e ka fizikun e 10 viteve më parë, por mbetet i fortë. U pa edhe ndaj Cagliarit se bën ende diferencën, ky është shkaku pse Milani i besoi sërish”. /abcnews.al