Idhulli Cana dhe objektivat, njihuni me talentin Bajrami që refuzonte festat

schedule11:19 - 9 Korrik, 2020

schedule 11:19 - 9 Korrik, 2020

Geraldo Bajrami ka lindur në Angli, por ai e flet rrjedhshëm gjuhën shqipe. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare U-21 është një nga lojtarët e perspektivës dhe shpreson që një ditë të bëjë hapin e madh drejt Kombëtares së madhe.

Në intervistën për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, Bajrami rrëfen se si i hodhi hapat e parë në futboll, kalimin te skuadra e Birmingham-it në Championship, sakrificat që i është dashur të bëjë, synimet e tij për të ardhmen dhe idhullin kuqezi.

FUTBOLLI – “Si shumë fëmijë të tjerë gjithçka nisi me idenë për t’u argëtuar dhe për të kaluar kohën. Prindërit menduan se do të ishte një ide e mirë nëse unë do të merresha me sport dhe kështu në moshën 6-vjeçare më regjistruan në një ekip futbolli të zonës ku jetojmë në Birmingham. Aty hodha hapat e parë, por m’u deshën disa vite që unë të spikasja dhe të kuptoja se futbolli nuk do të ishte thjesht një argëtim për mua, por një mundësi e vërtetë për të vazhduar karrierën si profesionist”.

FILLIMET – “Në fakt që të dy prindërit e mi më kanë mbështetur shumë që herët. Siç e thashë në fillim nuk shkëlqeva, por me kalimin e viteve, im atë do ta kuptonte që unë kisha talent dhe më ndihmoi që të fokusohesha më shumë te futbolli për të ndjekur ëndrrën. Si babi ashtu edhe mami më shoqëronin çdo ditë në stërvitje rregullisht dhe më mbështesnin që unë të vazhdoja karrierën dhe të isha i përqendruar plotësisht te futbolli. Në fakt, kur mbusha 12 vjeç të gjithë e kuptuan se unë bëja diferencën në skuadër dhe mund të bëhesha futbollist profesionist”.

PËRDITSHMËRIA – “Dita ime është e zakonshme, i dedikohet totalisht futbollit. Duhet të paraqitem te klubi im, Birminghami që në orën 9:00 për të nisur me mëngjesin dhe më pas përgatitemi për seancën e parë stërvitore që nis rreth orës 10:30. Seanca zgjat dy orë dhe më pas në orën 12:45 vazhdojmë me stërvitjen në palestër, duke vijuar me drekën që e konsumojmë sërish në klub. Edhe pasditet ia dedikoj futbollit dhe përpiqem të jem sa më në formë vazhdimisht”.

SAKRIFICA MË E MADHE – “Kur isha më i vogël më është dashur të shmang të gjitha festat ku shkonin shokët e mi. Më vinte keq, por doja të isha gjithmonë i fokusuar te futbolli dhe i refuzoja ftesat që më vinin nga shoqëria. Por sakrifica më e madhe ishte shkolla. U detyrova ta lë kur u binda se futbolli do të ishte e ardhmja ime. Në fakt, kam qenë shumë i mirë me mësime, por ishte e pamundur që të fokusohesha te shkolla në një kohë kur futbolli me merrte pjesën më të madhe të ditës. Ishte një vendim i vështirë që më është dashur të marr në karrierën time”.

OBJEKTIVAT – “Aktualisht synimi im më i afërt është të arrij të luaj si titullar te klubi im, Birmingham City, që militon në Championship. Më duhet të punoj shumë, por kam besim te aftësitë e mia dhe e di që mund t’ia dal mbanë. Gjithashtu, dua të jem gati kur të vijë mundësia për të qenë pjesë e Kombëtares shqiptare. Aktualisht jam pjesë e Kombëtares U-21 dhe jam i kënaqur me arritjet e deritanishme në planin personal. Nuk nxitohem dhe do pres radhën time. E rëndësishme është të jem në formë dhe përqendrohem te puna, pastaj jam i bindur se do të vijë edhe momenti im”.

SEKRETI – “Duhet vetëm të punosh fort dhe të kesh besim te vetja. Nëse ke dhënë gjithmonë më të mirën tënde në fushë, nuk ke asnjë peng. Unë besoj se çelësi i suksesit në futboll është në mendjen tënde. Duhet të besosh se je më i miri dhe më pas të sigurohesh se je vërtetë i tillë në fushë. Talenti përcakton atë se çfarë mund të bësh. Motivimi përcakton se sa vullnet ke për të arritur te suksesi, ndërsa veprat përcaktojnë se sa mirë mund ta bësh atë. Historitë e legjendave të futbollit gjithmonë më kanë motivuar dhe më kanë ndihmuar që të synoj maksimumin në fushë”.

IDHULLI – “Duke qenë se unë jam një qendërmbrojtës, sigurisht që edhe idhulli im ka luajtur pikërisht në këtë pozicion në të kaluarën. Për mua Lorik Cana është një figurë e padiskutueshme dhe një model që duhet ndjekur për mua. Ka qenë një kapiten dhe lider i shkëlqyeshëm, një futbollist që jepte gjithçka në fushën e lojës”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!