Zëdhënësi i IDF, Daniel Haggari tha të dielën vonë se Izraeli do të “ndryshojë situatën e sigurisë në veri” mes sulmeve të përsëritura nga Hezbollahu i mbështetur nga Irani dhe fraksionet aleate palestineze.
“Nuk do të vazhdojë që njerëzit e veriut të mos ndjehen të sigurt për t’u kthyer në shtëpitë e tyre,” tha zyrtari izraelit.
“Hezbollahu dhe qeveria libaneze do të mbajnë përgjegjësinë për çdo sulm nga territori i Libanit”, shtoi ai.
“Qytetarët e Libanit do të paguajnë çmimin për këtë paligjshmëri dhe vendimin e Hezbollahut për të qenë mbrojtësi i ISIS-it”, kërcënoi Haggari, duke e përshkruar Hamasin si një organizatë xhihadiste të ngjashme me Shtetin Islamik.
Kujtohet se ministri i Mbrojtjes i Izraelit Yoav Gallad paralajmëroi të shtunën se “Hezbollahu është afër të bëjë një gabim të rëndë që do të përfundojë me largimin e popullit të Bejrutit nga shtëpitë e tyre”.
Hezbollahu është përleshur me forcat izraelite në kufi që nga 8 tetori dhe të paktën 90 persona, 70 prej tyre luftëtarë, janë vrarë. Nga ana izraelite, gjashtë ushtarë dhe dy civilë janë vrarë. Ky konfrontim është fokusuar kryesisht në kufi dhe organizata shiite sulmon kryesisht objektivat ushtarake në Izrael.
Ushtria izraelite tha të shtunën se “rreth 200,000 njerëz” ishin larguar nga Rripi verior i Gazës, ku luftimet e ashpra janë ndezur me Hamasin, dhe ishin zhvendosur në jug në tre ditët e fundit.
“Hezbollahu po e tërheq Libanin në një luftë të mundshme dhe po bën gabime. Nëse ai bën gabime të këtij lloji, ata që do të paguajnë çmimin janë në radhë të parë qytetarët e Libanit. Atë që bëjmë në Gaza, dimë ta bëjmë në Bejrut”, tha Galland.