Nëntë persona humbën jetën tre ditë më parë në rrëzimin e helikopterit të Kobe Bryant, legjendës së basketbollit. Përveç tij dhe vajzës 13-vjeçare u shuan edhe shtatë persona të tjerë. Autoritetet amerikane po punojnë për të gjetur trupat dhe ia kanë dalë të gjejnë atë të Kobe.
Ekspertët mjekoligjorë identifikuan zyrtarisht trupin e 41-vjeçarit mbrëmjen e djeshme. Ish-ylli i NBA u identifikua nga gjurmët e gishtërinjve të tij, teksa e njëjta gjë ka ndodhur edhe me trupat e dy burrave dhe një gruaje, të cilët janë John Altobelli, Ara Zobayan dhe Sarah Chester.
56-vjeçari Altobelli ishte një trajner bejsbolli dhe në aksidentin tragjik humbën jetën edhe gruaja e vajza e tij. Trupi tjetër i takon 50-vjeçarit Zobayan dhe 45-vjeçares Chester. Ndërkohë vijojnë kërkimet për trupin e 13-vjeçares Gianna dhe personave të tjerë.
Rreth tragjedisë ka reaguar edhe Nike. Kompania e famshme sportive ka vendosur të heqë nga tregu produktet e lidhura me Kobe Bryant. Çmimet e tyre janë rritur me 300% pas vdekjes së tij, por Nike ka kryer një gjest të bukur, duke mos tentuar fitimet e mëdha pas humbjes tragjike të ish-basketbollistit të famshëm. /abcnews.al