Identifikohet autori i sulmit në Westminster

schedule12:36 - 15 Gusht, 2018

schedule 12:36 - 15 Gusht, 2018

Është identifikuar autori i sulmit ndaj barrierës rrethuese të parlamenit britanik në Londër. Ai është një inxhinier 29 vjeç me origjinë nga Sudani. Ndërkohë, kryeministrja e vendit Tereza Mej, u shpreh se terrorizmi synon të përçajë vendin, por nuk do ia arrijë qëllimit.

29 vjeçari nga Birmingem që të martën u përplas me automjetin e tij me kalimtarë dhe çiklistë në qendër të Londrës, duke përfunduar në barrierën rrethuese të Uestminster, quhet Salih Khater dhe është me origjinë nga Sudani. Lajmi është publikuar nga britanikja Daily Telegraph. Ish-student inxhinierie elektronike, ai ishte transferuar në Britaninë e Madhe pesë vjet më parë duke marrë dhe nënshtetësinë britanike.

Sipas hetuesve, ai është i apasionuar pas muzikës dhe dëgjon muzikë sudanze por edhe Selin Dion, Rihanna dhe Eminem. Në vitin 2011 ai ishte zhdukur nga rrjetet sociale duke mbyllur dhe profilin në Facebook. Ai nuk ka asnjë precedent penal dhe nuk rezultonte si një subjekt i rrezikshëm apo i lidhur me terrorizmin. Ndërkohë, kryeministrja britanike Tereza Mej ka reaguar duke thënë se objektivi konkret i ekstremistëve është përdorimi i dhunës dhe i terrorit për të ndarë njerëzit, por nuk do ia dalin.

Për herë të dytë në dy vjet, shtoi ajo, në territorin britanik kanë ndodhur skena të tmerrshme. Duke përsëritur apelin për popullsinë që të jenë vigjilentë ajo lavdëroi punën e agjentëve të policisë. Ndërkohë, niveli i alarmit në vend mbetet i lartë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!