Shkencëtarët kanë tashmë një ide të pabesueshme për të udhëtuar drejt Hënës. Ata synojnë të krijojnë një “ashensor” mes Tokës dhe Hënës, dhe pretendojnë se mund të reduktojë në mënyrë të jashtëzakonshme shpenzimet për udhëtimin hapësinor.
Ashensori i ri njihet nga ekspertët me emrin “Spaceline”. Sipas tyre, “ashensori” do të përbëhet nga një bosht gjigand i lidhur në sipërfaqen e Hënës, i cili do të varet në orbitën gjeostacionare të Tokës.
Në këtë mënyrë, astronautët do ta kenë më të lehtë që të arrijnë fundin e “Spaceline”, duke marrë në këtë mënyrë ashensorin, i cili do t’i transportojë deri në Hënë.
Kjo ide është publikuar nga kërkuesit në Universitetet e Columbia-s dhe Cambridge-t. Nëse realizohet, sipas shkencëtarëve, do të përdoret edhe për të transportuar njerëzit drejt çdo strukture që vërtitet mes Tokës dhe Hënës.
Megjithatë, ideja e kërkuesve është në fazat fillestare. Për të ndërtuar ashensorin duhen materiale të cilat janë të vështira të gjenden në sasi të mëdha. Përveç kësaj shkencëtarët nuk kanë llogaritur ende dëmin që mund të shkaktohet nga mbetjet që qarkullojnë në hapësirë./abcnews.al