Marco Van Basten është një nga futbollistët më të talentuar që ka nxjerrë futbolli. Sulmuesi holandez shkroi historinë me kombëtaren tulipane dhe Milanin. Shumë trofe të fituar me kuqezinjtë, Euro 1988 me Holandën dhe tre “Topa të Artë”, teksa u detyrua të tërhiqej herët nga futbolli (29 vjeç).
“Mjelma e Utrehtit” siç thirrej në Itali për shkak të elegancës së madhe që e karakterizonte, ka dhënë në Sky Sports.uk një sugjerim në lidhje me rregulloren e futbollit. “Unë kam qenë gjithmonë kritik në lidhje me pozicionet e parregullta, pasi nuk më duket një rregull i mirë.
Është një normë që bllokon spektaklin. Unë jam i bindur që futbolli do të ishte më i bukur pa pozicionet jashtë loje. Futbolli është një lojë fantastike, por duhet të bëjmë më shumë për ta përmirësuar, për ta bërë më spektakolare, emocionuese dhe interesante.
Duhet të punojmë shumë në këtë aspekt. Heqja e pozicionit të parregullt do të ishte një disavantazh i madh për mbrojtësit? Nuk është e thënë, gjithçka do të ishte ndryshe, do studioheshin metoda të tjera për markimin e sulmuesve“, theksoi legjenda holandez. /abcnews.al