Ibrahimi: Ndjesë për rezultatet negative, konkurentin më të fortë kemi veten

schedule13:29 - 6 Dhjetor, 2021

schedule 13:29 - 6 Dhjetor, 2021

Dinamo do të masë forcat me Teutën në “Elbasan Arena” ditën e nesërme në kuadër të javës së 12-të të kampionatit, sfidë që do fillojë në orën 16:45.

Në konferencën për shtyp së bashku me trajnerin Bledi Shkëmbi, ishte i pranishëm edhe kapiteni i Dinamos, Agim Ibrahimi, i cili nuk ka nguruar të kërkojë ndjesë për rezultatet negative që skuadra ka marrë javët e fundit ku kulmoi me humbjen turpëruese kundër Laçit në “Air Albania”.

Fanrazisti i bluve të kryeqytetit ka premtuar se nga ndeshja e nesërme e tutje Dinamo do të marri vetëm rezultatet pozitive.

“Kërkojmë ndjesë për rezultatet e ekzagjëruara, por pa u bazuar te këto rezultate, duhet të kujtojmë ndeshjet e mira. Psikologjikisht duhet të ngrihemi. Lojtarët e mëdhenj reagojnë pas këtyre humbjeve. Duhet të marrim parasysh projektin afatgjatë të klubit. Çdo sfidë e përballoj me lehtësi. Ne bisedojmë dhe flasim gjithë kohën për t’u ngritur në aspektin individual dhe kolektiv. Në kohë të vështira duhet të jemi të gjithë bashkë. Ne jemi grup i shëndoshë dhe kemi harmoni mes njëri-tjetrit. Do të bëjmë ngritje që nesër. Çdo javë kemi provim të ri dhe sfidë të re për të treguar veten.

Nuk do të thoja që kemi mungesë karakteri apo mungesë reagimi. Por, kjo është çështje që duhet përmirësuar. Mos të harrojmë dhe ndeshjet që gjithçka shkon mirë. Reagimi ynë vjen që nga nesër. Duke i respektuar të gjitha skuadrat, konkurentin më të fortë kemi veten. Në disa raste ka munguar agresiviteti, por përmes mësimeve dhe detyrave që na jep profesori, s’kam dyshim që do t’ia arrijmë qëllimit. Na mungon pak eksperienca dhe qetësia para porte. Mos të hyjmë në temë të stërvitjes. Futbollistët stërviten mjaft mirë. Ka mungesë qetësie dhe eksperience”, ka theksuar kapiteni i Dinamos.  /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!