Ibrahimaj: Qeveria po ndjek me vëmendje rritjen e çmimeve, e gatshme të marrë masa të tjera për shtresat në nevojë

schedule21:33 - 24 Prill, 2022

schedule 21:33 - 24 Prill, 2022

Ministrja shqiptare e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj thotë se qeveria shqiptare po ndjek nga afër situatën e rritjes së çmimeve dhe është e gatshme të marrë masa të mëtejshme për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë përtej afatit tremujor të parashikuar.

Në një intervistë për VOA, zonja Ibrahimaj e cila ndodhet në Uashington në kuadër të takimeve të pranverës së Bankës Botërore dhe FMN-së, flet për perspektivën e një rritje ekonomike në kushtet e krizës së konfliktit Rusi-Ukrainë, ndikimin e borxhit të lartë dhe arsyet e aktit të dytë normativ për çmimin e naftës.

Zëri i Amerikës: Ju po merrni pjesë në takimet e drejtpërdrejta të pranverës të Bankës Botërore pas një ndërprerje gati tre vjeçare për shkak të pandemisë. A mund të na jepni një informacion më të përditësuar për parashikimet e FMN-së për rritjen ekonomike të Shqipërisë?

Delina Ibrahimaj: Përshëndetje, në fakt është kënaqësi që marr pjesë në takimet e pranverës të Grupit të Bankës Botërore dhe FMN-së. Në fakt ky raund ka qënë një raund ku FMN-ja ka parë parashikimet për të gjithë vendet e rajonit. Shqipëria në këndvështrimin e FMN-së do të ketë ngadalësim të rritjes ekonomike. Ishte parashikuar një rritje rreth 4 përqind, ndërkohë që FMN-ja e ka rishikuar rritjen duke e rishikuar në nivelin e 2 përqind për vitin 2022. Megjithatë në javët në vijim, mbas tre javësh, FMN-ja me ekipin e tyre do të vijnë në Shqipëri dhe së bashku me Ministrinë e Financave dhe me Bankën e Shqipërisë do të zhvillojnë një mision të Artikullit 4 ku do të bëjnë një analizë të thelluar të të gjithë efekteve të pritshme që ekonomia shqiptare do të ketë nga lufta dhe në atë moment do të rishikohen edhe njëherë parashikimet e tyre duke patur parasysh dhe ecurinë e tre muajve të parë.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet që shihet me shqetësim është rreziku i lartë i rritjes së varfërisë për shkak të rritjes zinxhir të çmimeve, veçanërisht atyre ushqimore. A mendoni se masat e ndërmara deri tani janë të mjaftueshme dhe a do të shtrihen ato përtej afatit tremujor?

Delina Ibrahimaj: Në të gjithë takimet që kemi patur ditët e fundit në fakt shqetësimi kryesor ka qënë pikërisht ky – pra efekti që rritja e çmimeve do t ketë në nivelet e varfërisë në të gjitha vendet e rajonit. Dhe pikërisht për këtë arsye rekomandimi i institucioneve ndërkombëtare vjen i lidhur me mbështetjen që qeveritë duhet t’i japin atyre shtresave më vunerabël të cilët nuk kanë mundësi të përballojnë rritjen e çmimeve. Periudha fillestare ne kemi vendosur të mbështesim për një periudhë tremujore dhe sigurisht do të jemi në monitorim të vazhdueshëm të çmimeve, të efekteve që këto çmime kanë në ekonomi dhe në buxhetet e familjeve dhe sigurisht do të marrim vendimet e duhura me qëllim që të limitojmë sa më shumë të jetë e mundur rritjen e efekteve në varfëri të asaj që po ndodh.

Zëri i Amerikës: Një tjetër problem i ngritur dhe nga Banka Botërore është sigurisht ai i borxhit që qeveritë janë të detyruara ta rrisin për shkak të përballimit të situatës. Shqetësimi më i lartë është për vendet me ekonomi jo të konsoliduara si Shqipëria që e kanë tashmë borxhin mjaft të lartë. Sa do të keni mundësi që ka shlyeni këtë borxh dhe për sa kohë dhe cilat janë masat që mund të merrni bazuar në dialogun e fundit që keni pasur me ekipet e Bankës Botërore dhe të FMN-së?

Delina Ibrahimaj: Të gjithë politikat që ndërmorrëm për përballimin e pandemisë na drejtuan drejt një rritje ekonomike më të lartë. Pra borxhi i rritur që arriti nivele shumë të larta gjatë vitit 2020, u përkthye në rritje ekonomike pasi në vitin 2021 ne patëm një rritje ekonomike prej 8,5 përqind e cila u ndikua nga politikat që ndërmorrëm për rritjen e stimulit fiskal dhe për rritjen e investimeve në vend. Kjo rritje ekonomike u materializua në ulje të nivelit të borxhit për vitin 2021 në krahasim me vitin 2020. Ne jemi të vendosur në respektimin e ligjit organik të buxhetit i cili përcakton që borxhi duhet të vij në ulje me të paktën një përqind në krahasim me vitin e kaluar. Është një rregull fiskal i cili është respektuar në vitin 2021 dhe do të vijoj të respektohet dhe në vitin 2022 e në vijim.

Zëri i Amerikës: Ju keni ngritur tashmë dy borde për mbajtjen nën kontroll të çmimeve të karburantit dhe ato të ushqimeve të shportës. Si ka mundësi që në rastin e karburanteve ju ndyshuat metodologjinë e përllogaritjes së çmimit brenda dy javësh. Ka patur kritika edhe nga deputetë të shumicës se akti i dytë normative u bë nën ndikimin e kompanive importuese duke qënë se I favorizon ato.

Delina Ibrahimaj: Në fakt kritikat sigurisht që janë të mirëpritura por në këtë rast nuk qëndrojnë. Bordi ka një synim kryesor për rritjen e transparencës në çmime të karburanteve dhe gjithashtu ka për qëllim që në këtë kohë krize qeveria dhe aktorët në treg të jenë në një linjë të përbashkët në të cilën marzhet e fitimit duhet të jenë minimale me qëllim garantimin e furnizimit me çmime sa më të ulta të karburanteve. Në fakt ne po – e ndryshuam formulën me të cilën kalkulohet çmimi i shitjes me shumicë dhe me pakicë. Arsyeja kryesore ishte se në aktin normative të parë ne kishim parashikuar një tjetër çmim burse dhe një tjetër premium i cili është kostoja për transportin që kompanitë kanë. Na u desh ta ndryshonim për të reflektuar atë që realisht kompanitë shqiptare paguajnë. Në se më parë ishte parashikuar një çmim FOB me një premio tjetër realisht kompanitë shqiptare funksionojnë me çmim CIF Mediterranee dhe premio varet nga blerjet që ato kryejnë i cili është i reflektuar në faturë. Pra kjo ishte arsyeja kryesore pse ne ndryshuam mënyrën e kalkulimit të çmimit dhe ne duhet të garantojmë sigurisht që çmimet janë transparente që marzhet e fitimit të jenë sa më të ulta të cilat të mbulojnë kostot operacionale të kompanive por pa e dëmtuar tregun në sensin e falimentimit të kompanive. Pra sigurisht qeveria duhet të kujdeset për të dyja aspektet e furnizimit.

Zëri i Amerikës: A mendoni se është e nevojshme një lloj ndërhyrje ligjore për të garantuar konkurencën në mënyrë transparente në mënyrë që tregje të caktuara të mos kontrollohen nga një grusht i vogël kompanish?

Delina Ibrahimaj: Në fakt për tregun shqiptar janë 18 kompani të cilat janë kompani shumice, është një numër i madh kompanish të cilat tregtojnë e pakicë – pra ne mendojmë se aktorët janë të përshtatshëm për tregun tonë. Nga ana tjetër ne kemi vendosur që do të funksionojmë në një ekonomi tregu. Dhe krijimi i bordit në fakt është në kundërshti me parimet tona për funksionimin e ekonomisë së tregut ku çmimi nuk mund të përcaktohet nga qeveritë por duhet të përcaktohet nga kërkesa dhe oferta. Kjo është një situate e jashtëzakonshme që na ka detyruar të marrim vendime të jashtëzakonshme por me tejkalimin e kësaj situate, në momentin që do të ketë një qartësi dhe një përfundim të luftës e cila do të ndikojë në qartësinë e parashikimeve që ne do të kemi, sigurisht do të dalim nga situate e bordit dhe do të vijojmë të punojmë në një ekonomi ku kërkesa dhe oferta përcakton çmimin dhe nuk janë institucionet shtetërore që përcaktojnë çmimin. Ky është një vendim që e kemi marr që në vitet 90 dhe nuk kemi pse ti kthehemi mbrapsh pasi vetëm kërkesa dhe oferta garantojnë efiçencën e tregut. /VOA/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!