Shumë po flitet për të ardhmen e sulmuesit të Milanit, Zlatan Ibrahimovic. Shpesh herë gjigandi suedez konsiderohet pothuajse i larguar nga kuqezinjtë, por ende nuk ka asgjë zyrtare se çfarë do të ndodhë sezonin e ardhshëm. Pikërisht për këtë ka folur dhe ish-trajneri i Italisë, Fabio Capello, i cili insiston se Milani duhet ta mbajë dhe vitin tjetër veteranin.
”E kam thënë dhe herë të tjera, Milani duhet ta mbajë Zlatanin. Ata duhet ta shfrytëzojnë eksperiencën e tij, pasi për momentin ai është pika më e fortë e ekipit”, deklaroi ish-tekniku i Juventusit për mikrofonat e “Tuttosport”.
Zërat për largimin e Ibrës nga Milano u shtuan muajin e fundit, kur 38-vjeçari u dëmtua në thembrën e Akilit gjatë një seance stërvitore. Që nga ardhja e tij në merkaton e janarit, Zlatan numëron 10 takime ku e ka gjetur katër herë rrugën e rrjetës dhe ka asistuar një herë për shokët e skuadrës. /abcnews.al