Ibra godet sërish: Unë, si Giuseppe Garibaldi! Luaj deri 50 vjeç

schedule10:42 - 29 Nëntor, 2019

schedule 10:42 - 29 Nëntor, 2019

Zlatan Ibrahimovic lë vend për komente sa herë që flet apo bën një veprim. Edhe me deklaratën e fundit, dhënë për “Gazetta dello Sport”, sulmuesi  ka tërhequr vëmendjen dhe rrit kuotat për t’u transferuar në Itali dhe te Milani, klub që i ka bërë një ofertë dhe pret një përgjigje.

“Milano nuk është qyteti im i dytë, është shtëpia ime e dytë. Kam kujtime të mrekullueshme dhe një nga njerëzit që unë i besoj më së shumti jeton atje. Italia në vetvete është shtëpia ime e dytë. I dua italianët dhe gjenialitetin e tyre. Zemra ime nuk është larguar asnjëherë nga ky vend”, ka deklaruar Ibra.

Sulmuesi, edhe pse 38 vjeç, është i bindur që mund të luajë në nivele të larta. Ajo çka ai do, është një projekt që e motivon. A ia siguron Milani diçka të tillë, është një temë që mund të diskutohet. “Mund të luaj në nivelin tim të zakonshëm deri kur të bëhem 50 vjeç. Nëse ka një projekt që më simulon, absolutisht mund ta bëj diçka të tillë”, ka shtuar sulmuesi.

Në fund ai flet edhe për aventurën e tij në MLS, si dhe lëshon batutën e radhës. Ibra, hapur e krahason veten me Giuseppe Garibaldi, gjeneralin e famshëm që luftoi në Europë dhe Amerikë.

“Sapo kam mbyllur një eksperiencë te Los Angeles Galaxy dhe ka qenë fantastike. Do të mbetet e paharrueshme në kujtimet e mia. E doja këtë aventurë. Dhe tani jemi dy heronj të të dyja botëve: unë dhe Giuseppe Garibaldi”, ka përfunduar Ibrahimovic. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!