“Ibra do largohet”, Milani “derbi” me Interin për një 20-vjeçar

schedule08:30 - 23 Mars, 2020

schedule 08:30 - 23 Mars, 2020

E ardhmja e Milan është e paqartë. Ajo që dihet është fakti që drejtuesit duan të krijojnë një skuadër me moshë shumë të re dhe paga jo shumë të larta. Ivan Gazidis dështoi me një projekt të tillë tek Arsenal dhe CEO i klubit nuk hyn te të preferuarit e tifozëve.

Yje si Donnarumma dhe Romagnoli mund të përfundojnë në merkato, teksa në dyshim është e ardhmja e Zlatan Ibrahimovic te kuqezinjve. “Unë them që Ibra nuk do të jetë pjesë e Milanit sezonin e ardhshëm”, është shprehur qartë Gianluca Di Marzio, gazetari i njohur italian, për Sky Sport 24.

Klubi italian po ndjek me interes një qendërmbrojtës. Ai është Obite Evan N’Dicka, 20-vjeçari i Eintracht Frankfurt, i cili aktivizohet edhe si mbrojtës i majtë e shkatërrues. Lojtari ka debutuar me Francën U21 nëntorin e kaluar dhe këtë sezon numëron 25 ndeshje të zhvilluara me skuadrën gjermane (ka shënuar 1 gol).

Sky Sports raporton se për të interesohet edhe Interi. Të dy klubet e Milanos pritet të zhvillojnë një “derbi” në merkato për shërbimet e N’Dicka, për të cilin nuk mungojnë as ofertat nga Premier League. Milan shpreson të përfitojë nga marrëdhëniet e mira të krijuara me Eintracht pas operacioneve të Ante Rebic dhe Andre Silva. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!