IAEA: Rusia ende nuk ka ofruar qasje tek çatitë e reaktorit bërthamor në Zhaporizha

schedule22:19 - 20 Korrik, 2023

schedule 22:19 - 20 Korrik, 2023

Moska ende nuk e ka lejuar ekipin e Kombeve të Bashkuara që të inspektojnë çatitë e reaktorit bërthamor në Zaporizhzhia, që kontrollohet nga forcave ruse, tha të enjten Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, IAEA. Dy javë më parë inspektorët ndërkombëtar thanë se qasja tek çatitë ishte “thelbësore”.

Më 4 korrik, Rusia dhe Ukraina akuzuan njëra-tjetrën se po thurnin plane për të organizuar një sulm kundër centralit më të madh bërthamor në Evropë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, IAEA, ka paralajmëruar vazhdimisht lidhur me një katastrofë të mundshme si rezultat i luftimeve aty pranë.

Një ekip i vogël inspektorësh ndërkombëtar, me qendër në central, ka kërkuar të verifikojë akuzat, duke u shprehur se deri tani ende nuk ka vënë re ndonjë kërcënim.

“Ekspertët kanë zhvilluar inspektime shtesë në centralin bërthamor të Zaporizhias gjatë javës së kaluar. Deri tani nuk kanë vënë re ndonjë pajisje të rëndë ushtarake, eksploziv apo mina. Megjithatë, ata ende po presin që të kenë qasje në çatitë e ndërtesave të reaktorit”, tha përmes një deklarate të enjten Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, IAEA.

Agjencia ndërkombëtare tha më 5 korrik se qasja në çatitë e njësive 3 dhe 4 të reaktorëve ishte “thelbësore” siç ishte qasja në disa pjesë të sallave të turbinave. Forcat e armatosura të Ukrainës kishin thënë një ditë më parë se “të dhënat operative” tregonin se ishin vendosur “pajisje shpërthyese” në çatitë e këtyre dy njësive të reaktorëve.

Deklarata e së enjtes thotë se këtë muaj inspektorët ndërkombëtarë kishin vizituar zona të ndryshme të njësive të reaktorit 1-4.

“Ndërsa ekspertët panë kamionë transporti në sallat e turbinave të njësive 1, 2 dhe 4, nuk kishte asnjë tregues të dukshëm për eksplozivëve apo mina”, tha agjencia.

“Ekipit ende nuk i është miratuar kërkesa për të inspektuar çatitë e reaktorëve dhe sallat e turbinave të tyre, përfshirë njësitë 3 dhe 4 të cilat janë me interes të veçantë. Agjencia vazhdon të kërkojë që të ketë qasje”./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!