Personi i akuzuar për vënien e zjarrit në një studio animacioni në Japoni në vitin 2019, duke vrarë 36 persona, pranoi aktin e tij sot në ditën e parë të gjyqit të tij, por avokatët e tij thanë se klienti i tyre është i pafajshëm, duke përmendur faktin se ai nuk është mirë mendërisht.
Shinji Aoba, 45 vjeç, u arrestua pas zjarrit që ra në studio në Kioto, ku u plagosën 32 persona të tjerë. Ai është akuzuar ndër të tjera për vrasje dhe tentativë për vrasje.
“Unë e bëra atë,” tha Aoba përpara gjykatës së Kiotos, raportoi agjencia e lajmeve Jiji. “Nuk mendoja se kaq shumë njerëz do të vdisnin dhe tani mendoj se e teprova”, shtoi ai.
Aoba doli në gjykatë me karrige me rrota, pasi edhe ai vetë u plagos rëndë nga zjarri. Më shumë se 90% e trupit i ishte djegur dhe kaloi disa javë në koma.
Sipas Takahiro Ueda, një nga mjekët që ishte kujdesur për të, Aoba duhej t’i nënshtrohej gjithsej 12 operacioneve.
“Unë dua që ai të shpjegojë gjithçka në gjykatë dhe të shprehë pendimin e tij të sinqertë dhe të kërkojë falje” për viktimat dhe familjet e tyre, vuri në dukje Ueda të dielën.
Motivi i Aoba mbetet i paqartë, pasi ai nuk kishte të bënte me studion e Kyoto Animation (KyoAni), megjithëse ka raporte që ai e akuzoi atë se i kishte vjedhur një ide skenari.
Sipas disa rrëfimeve, ai hyri në godinën e studios dhe pasi i hodhi benzinë i vuri flakën duke bërtitur: “Do të vdesësh”.
Zjarrfikësit kishin deklaruar në atë kohë për shtypin se ngjarja ishte “e paprecedentë” dhe se kishin jashtëzakonisht vështirësi për të shpëtuar punëtorët në studio dhe për të shuar zjarrin.
Incidenti shkaktoi tronditje si në Japoni ashtu edhe jashtë saj.
/abcnews.al