OFL sot i ka dërguar letër për deklarim të pasurisë Shkëlzen Dumanit, i akuzuar për përfshirje në organizata terroriste.
Mirëpo, Dumani, me origjinë nga Peshkopia dyshohet se është vrarë në Siri në vitin 2015. Shteti shqiptar e ka regjistruar Dumanin zyrtarisht si të zhdukur.
Shkëlzen Dumani dyshohet të jetë vrarë në Siri, ndërsa në shtetin sirian kanë mbetur dy fëmijët e tij, një djalë dhe një vajzë, Endri dhe Eva, 8 dhe 9 vjeç.
Dumani, një prej vullnetarëve myslimanë shqiptarë që kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe që janë shpallur në kërkim nga shteti shqiptar, është vrarë në luftime në Siri, kanë thënë familjarët e viktimës.
LEXO edhe: Të afërmit e fëmijëve të mbetur në Siri apel shtetit: Ndërhyni, kthejini pranë nesh
Dumani kishte disa muaj që ishte në Siri dhe luftonte me xhihadistët. Viktima ishte në kërkim nga krimet e rënda edhe për rekrutime të shqiptarëve për t’i çuar në Siri për të luftuar kundër qeverisë së Bashar Al Assad.
Kush është Shkëlzen Dumani?
Shqiptari i fundit i cili besohet se është vrarë në Siri, Shkëlzen Dumani, është një prej personave të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare me akuzën e organizimit dhe financimit të rekrutimit dhe dërgimit të myslimanëve shqiptarë për xhihad në Siri.
Në fund të janarit të këtij viti ai ka mundur të kalojë kufirin së bashku me dy fëmijët e tij, Endri dhe Eva, përkatësisht 8 dhe 9 vjeç. Sipas të afërmve në Bellovë të Dibrës, vite më parë, Shkëlzeni me profesion hidraulik shkon për gjashtë muaj në Arabinë Saudite.
Pas kthimit nga Arabia, ai fillon të praktikojë fenë myslimanë duke lënë dhe mjekër.
LEXO edhe: Daja rrëfen në ABC News dramën e Emës dhe Endrit në kampin e ISIS
Shkëlzen Dumani duket se e ka menduar me detaje arratisjen së bashku me dy fëmijët e tij.
Ai ka shfrytëzuar një sebep familjar të bashkëshortes për të kryer në heshtje largimin e tij. Ai i ka thënë bashkëshortes, Mides, të ikte tek i vëllai i saj, pasi ky i fundit fejonte të bijën dhe i ka kërkuar të qëndronte tre ditë atje.
Ai së bashku me dy fëmijët të nesërmen do të ikte në Shkodër për të drekuar me një mikun e tij. Gjatë kësaj kohe ai është bërë gati dhe është nisur në aeroport me fëmijët. Teksa është telefonuar nga bashkëshortja, ai deri në momentin që kanë humbur kontaktet, i është përgjigjur se po ia kalonin mirë dhe se fëmijët janë po ashtu mirë.
Dumani ka udhëtuar me fëmijët e tij përmes aeroportit të Rinasit me destinacion Turqinë. Mësohet se ditën e udhëtimit Dumani ka qenë i veshur me kostum dhe ka hequr mjekrën.
Ai i ka shpjeguar personelit se arsyeja e udhëtimit drejt Turqisë është për operimin e djalit të tij. Më pas i ka humbur gjurmët dhe dyshohet se ka mbërritur në Siri së bashku me dy fëmijët.
N.D./abcnews.al