I sulmuar nga të katër anët, Joe Biden u përgjigjet rivalëve

schedule18:15 - 1 Gusht, 2019

schedule 18:15 - 1 Gusht, 2019

Ish-zëvendës presidenti amerikan Joe Biden, që kryeson garën e nominimeve demokrate për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, është sulmuar nga të gjithë kandidatët e tjerë në debatin televiziv të radhës. Por ndryshe nga më parë, këtë herë Biden ka qenë në gjendje t’u kthejë përgjigje rivalëve.

Ish-zëvendës presidenti amerikan Joe Biden është ndodhur nën sulme të shumëfishta nga kandidatët e tjerë për zgjedhjet presidenciale në debatin televiziv të radhës.

Në skenën e ngritur në Detroit, Biden ka replikuar fillimisht me senatoren Kamala Herris në lidhje me sistemin shëndetësor dhe situatën në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.

I kritikuar shpesh herë se në debatet e mëparshme është paraqitur i papërgatitur, këtë herë Biden ka qenë në gjendje t’u përgjigjet akuzave të rivalëve, ndonëse në mënyrë të moderuar.

Kur doli në skenë përballë Harris, ish-numri dy i Shtëpisë së Bardhë i tha asaj: “Avash me mua, vajzë”. Sa i takon reformës në shëndetësi, Biden tha se zgjerimi i reformës së ndërmarrë nga presidenti Barack Obama është mënyra më e mirë për të zgjidhur me shpejtësi problemet në sistemin shëndetësor.

Nga ana e saj, senatorja Harris u përgjigj duke thënë se plani i saj “Mjekësi për të gjithë” do t’u lejojë njerëzve të regjistrohen, ndërsa shtoi se plani i Biden lë jashtë skemës 10 milionë amerikanë.

Por ish-zëvendës presidenti reagoi duke thënë se, politika e zonjës Harris do të kishte një kosto të lartë dhe do të ngrinte taksat për klasën e mesme. Një tjetër debat Biden pati me kandidatin Julian Kastro në lidhje me politikat mbi emigracionin, konkretisht në lidhje me dekriminalizimin e kalimit ilegal të kufirit.

Biden kritikoi zotin Kastro se ka heshtur lidhur me çështjen në kohën kur ajo arriti kulmin dhe shtoi se dekriminalizimi do të ishte i padrejtë për njerëzit në mbarë botën, të cilët duan gjithashtu të vijnë në Shtetet e Bashkuara, por u duhet të presin në radhë.

Replikat e radhës ishin me kandidatin Kori Buker, këtë herë për reformën në drejtësi. Buker deklaroi se çdo projektligj në drejtësi mban firmën e Biden që prej viteve ‘70 dhe tani ai nuk mund të dalë me një plan të ri për të mbuluar të tjerët.

Nga ana e tij, Biden kritikoi punën e zotit Buker kur ishte kryetar i Bashkisë së Njuarkut dhe për çështje të lidhura me korrupsionin në polici. Kjo ishte pjesa e dytë e dy netëve debat mes demokratëve që synojnë të fitojnë nominimin presidencial, që do të shpallet korrikun e ardhshëm në konventën e partisë. Ndërkohë, zgjedhjet presidenciale do të mbahen në nëntor të 2020-s./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!