I shpëtoi disa atentateve dhe i dyshuar tek eliminimi i Santjagos: Kush është i arrestuari Elvis Gaçaj

schedule14:34 - 9 Tetor, 2019

schedule 14:34 - 9 Tetor, 2019

Policia arrestoi sot në Durrës të shumë kërkuarin Elvis Gaçaj si edhe shokun e tij Klajdi Drizaj, i cili tentoi t’i largohej policisë në momentin e operacionit.

Gaçaj rezulton një nga emrat më të njohur për drejtësinë shqiptare.

Dy herë i dënuar për krime të rënda, vrasje e tentativë vrasjeje, por i hetuar edhe për trafik droge brenda e jashtë Shqipërisë. Elvis Gaçaj është dënuar për vrasje në vitin 1992.

Ai ishte adoleshent kur vrau me thikë shokun e tij.

Duke e goditur në njërën kofshë, i preu arterien kryesore dhe për pasojë bashkëmoshatari i tij gjeti vdekjen në spital. Për këtë ngjarje ai është dënuar me 14 vjet burg, dënim të cilin e ka përfunduar para disa vitesh. Vetëm pak muaj pasi kishte dalë nga burgu, në vitin 2008 Gaçaj përfundoi sërish në pranga.

Më 30 shtator të vitit 2008, Policia e Tiranës njoftonte se specialistët e Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit kishin arrestuar shtetasin Elvis Shpëtim Gaçaj, në atë kohë 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje.

Sipas Policisë, Gaçaj ishte arrestuar si autor i dyshuar për plagosjen për motive të dobëta të shtetasit Sefer M., ngjarje kjo e ndodhur më datë 26 korrik 2008.

Herën e fundit kur Elvis Gaçaj i shpëtoi një atentati të organizuar ndaj tij, por jo burgut, ndodhi më 1 tetor të vitit 2015, pranë lulishtes “1 Maji” në Tiranë. Ai mbeti i plagosur, ndërsa u vranë dy miqtë e tij, një vajzë e një djalë.

Por për Elvis Gaçajn, ky atentat nuk është i pari. Në dy vjet ai u kishte shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, por ndryshe nga ai 1 tetorit 2015, sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv.

Në të parin u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë. Atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi shpërthimi i lëndës plasëse nuk u realizua. Ndërsa mbrëmjen e 1 tetorit të 4 viteve më parë, autorët e provuan me armë zjarri. Madje me dy të tilla, një automatik e një pistoletë.

Por edhe këtë radhë dështuan. Plumbat e nisur për Gaçajn i morën jetën të dashurës së tij dhe 22-vjeçarit që punonte për të. Ai vetë shpëtoi me dy plagë të lehta në shpatull e në dorë, ndonëse autorët i shkrepin armët plot 29 herë. Në makinën tip “BMW”, ku ndodheshin 4 persona, shoqja e viktimës Aurora Oksian, Eda, shpëtoi pa asnjë gërvishtje.

I dashuri i saj Elvis Gaçaj, që ishte në timon, u plagos me dy plumba. Pasagjeri që ndodhej në sediljen pas saj, Kevin Rugova, u vra nga dy plumba tejshkues që më parë kishin goditur 29-vjeçaren. Ndërsa vetë Aurora u gjet e sharruar në plumba kallashnikovi. Tetë predha në trup e dy të tjera që kishin kaluar tejpërtej kokës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!