Një 41-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Botë.
Sabri Tahiraj ishte dënuar me 5 vjet burgim, për prodhim dhe shitje narkotikësh. Gjatë intervistimit në PKK Qafë Botë, ka dhënë identitet të rremë, por si rezultat i verifikimeve dhe i veprimeve të thelluara hetimore, është bërë i mundur identifikimi i tij.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga një 41-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar, pasi ishte dënuar me 5 vjet burgim, për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Botë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Fier, kanë identifikuar dhe ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar:
-Sabri Tahiraj, 41 vjeç, banues në Cakran, Fier. Ky shtetas gjatë intervistimit në PKK Qafë Botë, ka dhënë identitet të rremë, por si rezultat i verifikimeve dhe i veprimeve të thelluara hetimore, është bërë i mundur identifikimi i tij.
Në vitin 2019, 41-vjeçari dhe 2 shtetas të tjerë u vunë në pranga në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “Kreshpan”, të finalizuar nga Policia e Fierit. Me qëllim realizimin e hetimeve dhe dokumentimin e rastit me prova ligjore, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier vendosi fillimisht ndaj shtetasit Sabri Tahiraj, masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Si rezultat i hetimeve të thelluara, u dokumentua me prova ligjore, përgjegjësia penale e 41-vjeçarit dhe Gjykata vendosi dënimin përfundimtar të tij, me 5 vjet burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Shtetasi Sabri Tahiraj ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme, në drejtim të shtetit grek, me qëllim shmangien nga vuajtja e dënimit me burgim dhe është kapur nga Policia greke, pas shkëmbimit të informacionit me Policinë shqiptare. /abcnews.al