Zv/Presidenti i parë i Iranit, Muhammad Mukhbar, është personi që do të marrë detyrën e presidentit të përkohshëm në vend pas vdekjes së Ebrahim Raisit në një aksident ajror.
Kushtetuta e Iranit parashikon që zgjedhjet presidenciale të mbahen 50 ditë pas vdekjes së kreut të shtetit, ndërsa neni 131 i Kushtetutës së Republikës Islamike parashikon se “në rast të vdekjes, shkarkimit, dorëheqjes, mungesës ose sëmundjes së presidentit, që zgjat më shumë se dy muaj”, zëvendëspresidenti i parë merr përsipër detyrat e tij.
Sakaq, procesi duhet të miratohet nga udhëheqësi suprem i Iranit, post që mbahet nga Ayatollah Ali Khamenei.
Kushtetuta parashikon që një këshill, i përbërë nga “kryetari i parlamentit, kreu i drejtësisë dhe zv/Presidenti i parë, duhet të organizojë zgjedhjet për një president të ri brenda një periudhe 50-ditore”.
Por kush është Muhammad Mukhbar?
Muhammad Mukhbar ka lindur në Dezful të provincës Khuzestan dhe ka mbajtur shumë poste të larta. Ai ka shërbyer edhe si drejtues i disa kompanive dhe që nga viti 2007 ka qenë kryetar i Fondacionit të Urdhrit të Imamëve (Setad) i cili menaxhon pronat e konfiskuara pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Sipas britanikes The Guardian, Mukhbar nuk konsiderohet një person që mund të qëndrojë gjatë në postin e presidentit.
Ai ishte pjesë e delegacionit iranian që vizitoi Moskën tetorin e kaluar dhe ra dakord të furnizonte me raketa tokë-tokë dhe dronë forcat e armatosura të Rusisë.
Në vitin 2010 emri i tij u përfshi në një listë të individëve dhe subjekteve të sanksionuar nga Bashkimi Evropian për përfshirje në “aktivitete bërthamore ose raketore balistike” dhe dy vjet më vonë emri i tij u hoq nga kjo listë.
/abcnews.al