Burime nga spitali i Traumës në Tiranë bëjnë me dije se të arrestuarit Nuredin Dumani një plumb i ka prekur mushkërinë. Sipas mjekëve Dumani e ka kaluar rezikun për jetën dhe gjendja e tij është stabël.
Si ndodhi arrestimi mbrëmë?
Nuredin Dumani u vu në pranga nga RENEA në një banesë në lagjen Apolonia Fier, ku dyshohet se po merrte ndihmë mjekësore ambulatore, pasi ishte plagosur më armë zjarri. Sipas burimeve Dumani ishte i armatosur. Burimet i thanë abc se Nuredin Dumani kurohej fshehtas pasi ishte në kërkim policor. Ai dyshohet të jetë plagosur në nje ngjarje që ndodhi dje pasdite pranë fshatit Papër në rrugën Elbasan-Peqin, ku dyshohet të ketë pasur në përplasje me armë.
Policia që shkoi ne vendngjarje rreth orës 17 pasdite, gjeti një makine tip BMW X5 të ndaluar pranë parkingut të një biznesi privat, pasi ishte qelluar me të pakten 13 plumba kallashnikovi, ndërsa ishte në lëvizje. Burimet nga grupi hetimor thane se të shtënat kanë zgjatur ndërsa makina lëvizi për rreth 1 km, derisa ndaloi.
Policia nuk gjeti askënd në makinën e qëlluar me plumba, nga xhamat deri tek gomat. Mendohet se personat që ranë pre e sulmit me armë janë larguar, duke braktisur makinën ne vendin e atentatit. Sipas policisë, makina BMW X 5 kishte targa të vjedhura një vit më parë në Durrës. Brenda saj u gjet një armë kallashnikov dhe një bidon benzinë.
Burimet i thanë abc se në këtë ngjarje, veç Nuredin Dumanit, dyshohet te jenë përfshirë edhe persona të tjerë, te shumëkërkuar për vepra të rënda penale.
Nuredin Dumani është i kërkuar për disa vepra të rënda penale. 37 vjeçari ishte shpallur në kërkim për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela, ngjarje e ndodhur në vitin 2020 në Elbasan. Ai akuzohet si porositësi i vrasjes se vëllezërve Haxhia ne Durrës, në prill 2020 si dhe vrasjen e Anxhelo Avdia dhe Dorian Shkozës po në Durrës në të njëjtin vit. Po ashtu Dumani është një nga personat e përfshire në grabitjen e parave në Rinas në 9 prill 2019.
/abcnews.al