Detaje të reja vijnë nga Reparti i Kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Beratit, ku mbërritën edhe 5 të plagosurit e aksidentit të rëndë që ndodhi mbrëmjen e sotme në qendër të qytetit. Automjeti tip Benz, me targa AA 021 MS,duke qarkulluar me shpejtësi nga lagja Mangalem në drejtim të qendrës së qytetit, ka humbur kontrollin dhe është futur brenda një dyqani me pajisje elektro-shtëpiake.
Si pasojë e aksidentit të rëndë janë plagosur 5 shtetasit: Leonard Rrapi 34-vjeç, Abaz Kaballi,60-vjeç,Astrit Veliu,23-vjeç, Tahir Redhi,30-vjeç dhe Robert Sadikaj. Të pesë shtetasit e plagosur janë banues në fshatin Arëz në Tepelenë dhe raportohet se sapo ishin kthyer nga pelegrinazhi në Malin e Tomorrit.
Ata kishin bërë një ndalesë brenda në qytetin e Beratit,ku po shëtisnin përgjatë qendrës së qytetit. Të plagosurit janë transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat,ku ndodhen në gjendje të rëndë.
Njëri prej të plagosurve,30-vjeçari Leonard Rrapi është transportuar me ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa 4 të plagosurit e tjerë ndodhen në Repartin e Kirurgjisë së Beratit.
Mësohet se edhe drejtuesi i mjetit,26-vjeçari Ergys Petro, banues në lagjen “Kushtrim” në Berat është plagosur rëndë dhe ndodhet në Spitalin e Beratit, nën mbikqyrjen e forcave të policisë. Burime të policisë bëjnë me dije se, shkak për këtë aksident është bërë shpejtësia “skëterrë”,me të cilën po udhëtonte 26-vjeçari kur humbi kontrollin. /abcnews.al