Spanja është vendi i parë i Europës që po përjeton zjarre masive të nxitura nga temperaturat e larta. Flakët kanë përfshirë rajonin e Katalonjës dhe sipas autoriteteve rrezikojnë të shtrihen deri në 20 mijë hektarë. Ndërkohë, i nxehtë përvëlues është verifikuar edhe në Itali e Francë.
Disa qindra zjarrfikës po luftojnë me zjarret në rajonin spanjoll të Katalonjës, ku temperaturat kanë arritur mbi 40 gradë celsius. Autoritetet vendase kanë deklaruar se, zjarret janë më të këqijat e 20 viteve të fundit dhe mund të përhapen me shpejtësi.
Të paktën 4 mijë hektarë tokë janë prekur nga flakët në afërsi të qytetit La Torre del Espanjol, që ndodhet 80 kilometra nga qyteti bregdetar i Tarragonës. Por për shkak të të nxehtit intensiv flakët mund të përhapen deri në 20 mijë hektarë, kanë paralajmëruar autoritetet.
Për arsye sigurie, të paktën 30 persona janë evakuuar dhe 5 rrugë janë mbyllur. Në tërësi, 11 provinca në lindje dhe qendër të Spanjës kanë përjetuar ose do të përjetojnë temperatura mbi 40 gradë Celsius.
Ndërkohë, në disa zona në veri-lindje ato mund të arrijnë në 45. Përveç Spanjës, edhe Franca e Italia po kalojnë një valë të nxehti ekstrem. Pas mesditës së të enjtes, temperaturat arritën në 39 gradë Celsius në Torino të Italisë dhe 40 në qytetin jugor francez të Avinjonit.
Ndërsa të mërkurën, Gjermania, Polonia dhe Republika Çeke regjistruan temperaturat më të larta të verifikuara ndonjëherë në muajin qershor. Për shkak të ajrit të ngrohtë nga Afrika e Veriut, temperaturat pritet të rriten më tej në shumë vende të kontinentit të vjetër në 3 ditët e ardhshme./ABC News Albania 24/7