I nxehtë dhe plot rërë, qyteti ku toka jepet falas dhe të gjithë duan të shkojnë

schedule22:36 - 17 Nëntor, 2021

schedule 22:36 - 17 Nëntor, 2021

Australi. Nga lart, qyteti i vogël Quilpie në Queensland duket se është në mes të askundit. Një zonë me pluhur, e cila ka ngjyrën e ndryshkut. Rreth 20 kangur në lëndinën e shkollës. Temperaturat në verë mund të arrijnë deri në 45 gradë Celsius. Qyteti më i afërt është rreth 10 orë me makinë. Por Quilpie papritmas u “lakmua” ndërkombëtarisht kur zbatoi një plan për të tërhequr banorë të rinj duke ofruar tokë falas.

Zyrtarët fillimisht shpresonin se pesë shtëpi të reja do të ndërtoheshin. Por vetëm dy javë pasi u publikua informacioni më 11 tetor, Quilpie kishte marrë më shumë se 300 aplikime, duke përfshirë disa nga Hong Kongu dhe Evropa. “Vërshimi” ishte dëshmi e krizës globale në tregun e banesave të përballueshme.

“Ishte e pabesueshme,” tha Justin Hancock, kreu i Këshillit Quilpie Shire, i cili paraqiti planin. Pronarët e rinj duhej të paguanin 12,500 dollarë paraprakisht për të marrë një ngastër toke. Por nëse ata do të ndërtonin një shtëpi dhe do të jetonin në të për më shumë se gjashtë muaj, do t’i merrnin paratë e tyre.

Ideja e zotit Hancock është një aliazh i dy tendencave që janë vërejtur në mbarë botën: nevoja për strehim të lirë dhe stimulimi i jetës në qytetet e vogla.

Disa fshatra piktoreskë në Itali u bënë tituj ndërkombëtarë, duke ofruar shtëpi të rrënuara për vetëm 1 euro, në përpjekje për t’u rigjallëruar. Qyteti i Gary në Indiana gjithashtu shiti shtëpitë e braktisura për vetëm 1 dollarë për ata që ishin të gatshëm t’i ndërtonin ato.

Dy nga qytetet më të mëdha të Australisë, Sidnei dhe Melburni, janë ndër tregjet më të shtrenjta të pasurive të paluajtshme në botë. Çmimet u rritën gjatë pandemisë së koronavirusit 11 herë më shpejt se pagat, sipas të dhënave nga CoreLogic, një kompani e të dhënave të pasurive të paluajtshme. Sot, çmimi mesatar i shtëpisë në Sidnei është 1.3 milion dollarë.

Quilpie, që ndodhet 874 kilometra në perëndim të  Brisbane  dhe industritë kryesore të të cilit janë bujqësia dhe minierat, ka luftuar prej kohësh për të ndërtuar shtëpi.

Hancock doli me planin e strehimit për të trajtuar këtë mungesë. Ai nuk pret që të 300 aplikimet të përkthehen në parcela të blera. Ai vlerëson se rreth 15 deri në 20 persona janë duke e shqyrtuar seriozisht ofertën./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!