Emri i nominuar nga presidenti Joe Biden për të udhëhequr Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA), është William Burns.
Mediat e huaja bëjnë me dije se Burns u ka thënë ligjvënësve më 24 shkurt se “testi më i madh gjeopolitik” për Shtetet e Bashkuara vjen nga Kina, mirëpo ka deklaruar se edhe Rusia përbën kërcënim.
Burns, ish-ambasador në Rusi dhe Jordan, e ka quajtur Kinën “të frikshme dhe kundërshtare autoritare”, që është duke rritur fuqinë për të vjedhur pronën intelektuale, për të shtypur njerëzit e saj, dhe për të ndërtuar ndikim brenda Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, ai ka thënë se mund të ketë hapësirë për bashkëpunim me Pekinin, në fushat si ndryshimet klimatike dhe mospërhapja e armëve bërthamore. Ndër të tjera ai ka thënë se Rusia vazhdon të përbëjë kërcënim potencial, ndonëse në disa aspekte është duke i rënë fuqia botërore.
“Për aq kohë sa Vladimir Putin është lider i Rusisë, ne do veprojmë në një fushë të ngushtë të mundësive, kundrejt konkurrencës së ashpër të kundërshtarit”, ka thënë ai.
Sipas tij, sulmet e fundit kibernetike në departmentet e Qeverisë amerikane, mbrapa të cilave besohet se është Rusia, shpërfaqin rreziqet e nënvlerësimit të Kremlinit dhe shërbejnë si thirrje “e ashpër zgjimi” për dobësitë e zinxhirëve të infrastrukturës kritike.
Sipas tij administata Biden do të hartojë së shpejti një raport për të vlerësuar raportet me Rusinë, përfshirë hakimin./abcnews.al

