Sot në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin u njohëm me Daniel Falonipe, djali nga Nigeria totalisht i dashuruar pas vendit tonë. Ai e viziton Shqipërinë sa herë të ketë mundësi e kalon muaj këtu. Në bisedë me Ermalin, Daniel shprehu se ushqimet shqiptare janë të ngjashme në bazën e tyre me ato të Nigerisë; të dyja shtetet konsumojnë mish dhe bukë në sasi të konsiderueshme.
Por një problematikë që ai hasi në vizitën e parë këtu, ishte kurioziteti që njerëzit kishin kur e shihnin atë, një njeri me ngjyrë. Ndonëse Daniel i mëshoi faktit se përballjet me njerëzit janë gjithmonë miqësore dhe ai ka bërë shumë miq, nuk ngurroi të tregonte dhe episode me nota racizmi.
“Do të ishte e pavërtetë nëse do të thosha se nuk ndjej ndonjë lloj fërkimi, do ta quaja. Para ditë më parë më ndodhi, kur isha me disa miq të mitë. Por unë këtu ndihem si në shtëpinë time.” Përditshmëria në Tiranë për Daniel është fantastike, ku ai shpreh se ka një balancë mes jetës së natës dhe monotonisë së punës. Ai u shpreh i befasuar nga bukuria e vajzave shqiptare, por dhe edukata, inteligjenca dhe kultura që ato zotërojnë.
“Kam pasur një përvojë shumë të mirë me zonjushat këtu, shumë të kulturuara. Ke vajzat skeptike, ke ato që duan të të kenë shok. Ka nga ato që thonë ‘nuk mund të më shikojnë me ty sepse ti ngjan ndryshe nga shqiptarët’. Por mundohem ta shoh me pozitivitet, thjesht dalim e pimë kafe siç bëjnë shqiptarët.” – tha Daniel duke shtuar se ndonëse nuk ka gjetur një të dashur shqiptare, ai ka rënë në dashuri me një vajzë të vendit tonë pasi “është e vështirë mos të tërhiqesh nga vajzat shqiptare”. /abcnews.al