Vladimir Putin nuk i është përgjigjur ende një kërkese të Papa Françeskut për t’u takuar në Moskë për të diskutuar luftën në Ukrainë.
Papa tha se takimi do të ishte një përpjekje për të ndaluar konfliktin, i cili shpërtheu në fund të shkurtit pasi trupat ruse pushtuan Ukrainën.
Ati i Shenjtë i tha gjithashtu gazetës italiane Corriere Della Sera se Patriarku Kirill i Kishës Ortodokse Ruse, i cili ka mbështetur luftën, “nuk mund të bëhet djali i altarit të Putinit”.
Papa tha se ai nuk do të udhëtojë në Kiev për momentin, dhe do të dërgojë një përfaqësues. “Së pari duhet të shkoj në Moskë, fillimisht duhet të takoj Putinin. Por edhe unë jam prift, çfarë mund të bëj? Do të bëj çfarë të mundem. Nëse Putini hap derën”, tha ai.
Të dielën, Papa Françesku e përshkroi luftën në Ukrainë si “regresion makabër të njerëzimit” dhe tha se Mariupol ishte bombarduar dhe shkatërruar në mënyrë barbare.
Në një fjalim 15-minutësh në sheshin e Shën Pjetrit, ai tha se “mendimet e tij shkojnë menjëherë në qytetin ukrainas të Mariupol, qytetin e Marisë, i bombarduar dhe shkatërruar në mënyrë barbare”. /abcnews.al