“Dëshira ime është të më njohin edhe në Shqipëri”. Kristian Keqi, sulmuesi 23-vjeçar i Floriana, po spikat në Maltë dhe në vendin tonë nuk është se njihet. Djaloshi nga Malësia e Madhe ka lindur në Firence dhe shqipen e flet mirë, sigurisht në dialektin e bukur që zona e Shkodrës dhe mbi-Shkodrës ka. Si çdo futbollist shqiptar e ëndërron kombëtaren dhe do të bëjë çmos që një ditë ta veshë fanellën kuqezi. Gjithsesi Keqi nuk fluturon, por qëndron me këmbë në tokë në prononcimin e dhënë për Abcnews.al.
“Ëndrra ime është që një ditë të luaj me kombëtaren. Jam duke punuar fort, që një ditë ta realizoj këtë ëndërr. Jam realist dhe e di se ndoshta nuk do të më thërrasin, madje jam i sigurt. Jam realist. Do tentoj të luaj në liga më të forta dhe më pas të shohim. Numrat janë me mua për momentin”, thotë i riu, i cili hapat e parë në futboll i ka hedhur në Itali.
“Ia nisa të luaj futboll kur isha 10 vjeç. Përpara nuk e kisha shumë qejf, sepse kur isha më i vogël më fusnin në portë. Kur u ktheva sërish më vendosën në sulm dhe nisa të luaj. Më pëlqeu fort dhe e vazhdova futbollin”, tregon Keqi, i cili më pas ka qenë pjesë e moshave te Pescara. Aty pësoi një dëmtim dhe qëndroi 6 muaj jashtë fushave të blerta, duke u shkëputur më pas nga klubi i Serie B.
Sulmuesi gjithsesi nuk u dorëzua: “Ia rinisa nga Serie D dhe më pas u ngjita në C, ku luajta me Arezzo. Parvjet në janar më erdhi një ofertë për të shkuar në Maltë dhe mendova se ishte gjëja më e mirë të provoja një eksperiencë të re. Deri më tani jam i lumtur që mora atë vendim dhe kam bërë gjithçka mirë. Nga janari kam shënuar 17 gola dhe jam shumë i kënaqur me atë që kam bërë”.
Keqi është shënuesi më i mirë i kampionatit maltez, me 14 gola të realizuar dhe normalisht ofertat nuk i kanë munguar. Gjithsesi kjo temë nuk është se i pëlqen shumë dhe këtë herë tregohet altruist dhe pason. “Kam pasur oferta, por jashtë fushe punon menaxheri. Mendoj të luaj dhe të bëj paraqitje të mira për vete dhe për klubin tim, pasi jemi të parët në kampionat dhe duam titullin që të luajmë pastaj në kualifikueset e Champions League”.
A do donte ta provonte një eksperiencë në Superiore? Keqin e ngacmon si ide, por do donte edhe më shumë. “Mendoj se do të ishte diçka bukur për të luajtur në kampionatin shqiptar, por ëndrra ime është të luaj në kampionate më të forta. Të shohim çfarë do të ndodhë. Të kalojmë këtë periudhë të vështirë që është krijuar nga Coronavirusi.
Unë kam kontratë edhe një vit me klubin aktual dhe nëse dikush më do, duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me ta. Fillimisht duhet të gjejnë akordin me klubin dhe pastaj mund të flitet me mua. Sigurisht është menaxheri që merret me këtë pjesë. Mendoj vetëm për fushën, pasi vetëm kështu mund të shkosh lart. Nuk është mirë të mendosh për shumë gjëra jashtë fushës”, shton 23-vjeçari.
Po në Maltë çfarë ndodh? Keqi flet për aspektin financiar dhe për terrenet atje: “Në Maltë janë 5-6 klube top që janë të rregullta me pagesat. Ka edhe ekipe të tjera që vonohen, por paguajnë. Jam në një prej ekipeve të rregullta, një ndër më historikët këtu. Kanë fituar 25 kampionate e disa kupa. Edhe pagesat janë të kënaqshme. Normalisht dua të arrij më lart. Sa i takon terreneve, janë perfekte. Këtu është ishull dhe nuk ka shumë stadiume ku të luash. Janë katër, njëri është stadiumi kombëtar”.
Sigurisht në vendin tonë janë të paktë ata që e ndjekin kampionatin maltez. Nuk mund të themi asnjë, pasi ka edhe nga ata që mundohen të informohen për arsye pune. Keqi na tregon edhe më shumë për veten, por këmbëngul që më e mira është që ai të vlerësohej duke e parë në fushë. “Vitin e fundit jam aktivizuar në sulm, me modulin 4-3-1-2, në krahun e majtë. Nuk jam sulmues statik, më pëlqen të kërkoj hapësirat, të lëviz shumë, të marr topin dhe ta luaj.
Mund të them që jam lojtar shpërthyes dhe kam teknikë, por këto gjëra duhen parë në fushë. Aty tregohet kush je. Pikë e forta e imja është që nuk dorëzohem kurrë, bëj shumë presing. Jam i “egër” në fushë, si një qen i egërsuar kur e lëshojnë. Mundohem të mos e lë të marrë frymë kundërshtarin, i vihem prapa gjithë kohën”, rrëfen sulmuesi.
Keqi më tej thekson se asnjë ditë nuk duhet ndalur stërvitja dhe përmirësimi: “Çdo lojtar duhet të punojë për t’u rritur. Njeriu mëson çdo ditë dhe mund të mësojë nga kushdo. Këto muaj kam punuar shumë para portës, me lëvizjet, lojën në ajër. Punoj shumë që të shënoj sa më shumë gola. Çdo ditë mund të mësosh më shumë, nuk duhet të mendosh kurrë që ke kapur maksimumin”.
Sulmuesi i ri nuk dëshiron të ecë në hapat e dikujt, apo të bëhet si ai. “Nuk më pëlqen t’i ngjaj askujt, çdo futbollist ka karakteristikat e veta”, shton Keqi, i cili më pas flet edhe për dy emra të mëdhenj të futbollit botëror: Cristiano Ronaldo dhe… Ronaldo. Të parin e admiron, të dytin e dashuron. Në aspektin futbollistik, sigurisht.
“Admiroj si lojtar Cristiano Ronaldon për atë që ka bërë, çfarë po bën dhe si e ka bërë. Veç talentit, ai ka mentalitetin për të arritur gjithmonë e më shumë. Të qëndrosh në krye për gjithë ato vite, siç ka bërë ai, nuk është aspak e lehtë. Kurse lojtari më i fortë dhe që unë e dua shumë, është Ronaldo, fenomeni. I kishte të gjitha, driblimin, forcën, shpërthimin, gjuajtjen. Nuk kam parë kurrë lojtar si ai. Mund të them që shoh shumë video të atij, por është i paarritshëm. Për mua është lojtari më i fortë”, tregon lojtari nga Malësia e Madhe.
Shqipërinë, Keqi nuk e harron. Sa herë ka mundësi e viziton dhe premton që shumë shpejt do të zbarkojë sërish. “Vij në Shqipëri me pushime kur mundem, pasi ne futbollistët kemi pak kohë dhe duam të shkojmë në vende që nuk i kemi parë. Më pëlqen vendi im, jam krenar për origjinën time dhe për vendin tim. Nuk kam shumë fjalë, pasi është vendim im dhe ndihem shqiptar. Kam njerëzit e mi atje dhe më pëlqen të vij andej dhe të takoj të afërmit e mi.
Për katër vite nuk isha atje. Isha në janarin e vitit 2019 në Shqipëri, kur më erdhi oferta nga Malta dhe më duket sikur vendi im më tregoi rrugën që duhet të zgjidhja. Ato pushime atje më bënë të vijë në Maltë dhe është e dukshme që ka qenë vendimi i duhur. Besoj se do të vij shpejt atje, pasi të kalojmë këtë situatë të vështirë”, përfundon Keqi, i cili mezi pret që të rinisë kampionati dhe të shënojë të tjerë gola të rëndësishëm për skuadrën e Floriana. / Vladimir Prenga – Abcnews.al