I kapën dylbi snajperi dhe makinën e atentatorëve, i shpalluri në kërkim nga policia, vëllai i ish-kreut të minibashkisë në Tiranë

schedule16:10 - 1 Prill, 2021

schedule 16:10 - 1 Prill, 2021

RENEA kreu tre arrestime gjatë ditës së sotme duke sekuestruar një arsenal të madh armësh në Tiranë, të cilat i përkisnin një grupi të njohur kriminal në kryeqytet. Mëngjesin e sotëm u arrestuan me urdhër të SPAK Paris Prenga, Bledar Deda dhe Flor Abazi, ndërsa u shpall në kërkim Sokol Xhura, i cili është larguar jashtë vendit javë më parë.

Policia kreu operacionin në fjalë pas zbërthimit të prokurorëve të Enver Jamakut, të arrestuar pak javë bashkë me Ermond Jamakun pasi i vunë tritol makinës së Gjon Menës.

Gjatë operacionit të kërkimit të RENEA-s në kompleksin “Xhura” në Tiranë

Enver Jamaku rezulton të jetë pjesëmarrës edhe në dy ngjarje të tjera kriminale në vitin 2017 dhe 2019 në Tiranë, ndërsa gjatë dëshmisë ka përmendur edhe personat e arrestuar nga policia.

I arratisuri Sokol Xhura nuk është një emër i panjohur në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, në banesën e të cilit RENEA thekson se gjeti “radio marrëse-dhënëse si ato të policisë dhe ushtrisë, ndërsa në magazinën e komplelsit “Xhura” u gjetën 20 makineta të reja të lojërave të fatit, 6 tavolina ruleti, një automjet i blinduar, si dhe automjeti i përdorur nga autorët në vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit A. B”.

Lexo edhe: Mbajnë një front të tërë, arsenali masiv i armëve që u kap nga RENEA në Tiranë

Ngjarja në fjalë ka të bëjë me tentativën për të vrarë me shpërthim Artion Bylykut në tetor 2019.

43-vjeçari i shpallur në kërkim nga policia është vëllai i ish-kreut të minibashkisë nr.4 në Tiranë, Hysen Xhura dhe sipas policisë janë pronarët e kompleksit “Xhura” në kryeqytet.

Njoftimi i policisë

Finalizohet operacioni policor “Kompleks”, i zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Zbulohen dhe goditen 18 baza që shërbenin për modifikimin, magazinimin dhe shitjen e armëve luftarake nga grupe kriminale që kryenin krime kundër personit.

Zbardhen tri ngjarje kriminale me armë e eksploziv të ndodhura më parë.

Sekuestrohen arsenal armësh luftarake të llojeve të ndryshme, snajper, antitanke, kallashnikovë, pistoleta, silenciatorë, radio policie e ushtrie, optikë termikë për snajper, pjesë të ndryshme për modifikimin e armëve luftarake e sasi municionesh luftarake, 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara.

Vihen në pranga 5 persona dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e strukturave hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vijim të punës për zbulimin, dokumentimin, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në ngjarje kiminale të ndodhura më parë, si dhe në kuadër të parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në qytetin e Tiranës, mëngjesin e sotëm, në bashkëpunim me SPAK-un dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kompleks”.

Në kuadër të këtij operacioni, nga shërbimet policore, pas vlerësimit të informacioneve të marra dhe hetimeve të kryera, u bë i mundur saktësimi, lokalizimi dhe goditja e 18 bazave që shërbenin për modifikimin, magazinimin dhe furnizmin me armë të grupeve kriminale në territorin e të gjithë vendit.

Po gjatë operacionit u bë lokalizimi dhe kapja 3 personave për të cilët SPAK ka lëshuar urdhër ndalimi, konkretisht:

Paris Prenga, Bledar Deda dhe Flor Abazi;

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi Sokol Gjura, i cili është larguar jashtë vendit javë më parë.

Ndalimi i këtyre shtetasve u bë për arsye se këta persona, së bashku dhe me dy persona të tjerë të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, dyshohet se janë autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 18 tetor 2019, në Tiranë, ku është tentuar të vritet me eksploziv të telekomanduar shtetasi A. B.

Shtetasi i shpallur në kërkim Sokol Gjura dyshohet se së bashku me dy persona të tjerë të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, janë autorë të sulmit me armë ndaj shtetasit P. P., ngjarje e ndodhur më datë 10 shtator 2017, në rrugën “Muhamet Deliu” në Tiranë.

Gjithashtu, këta persona dyshohet se janë autorë të vendosjes së lëndës eksplozive, granatës dhe armës së zjarrit, si dhe të një lënde narkotike të dyshuar si heroinë në banesën e shtetasit E. S., ngjarje e ndodhur më datë 15 shtator 2017 në Tiranë.

Në kuadër të operacionit, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Akil Kulla, i cili është shpallur në kërkim, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh luftarake të kalibrave të ndryshëm dhe municion luftarak, konkretisht një snajper prodhim i fundit, 4 kallashnikovë, dy granatahedhës, një pistoletë dhe pjesë për riparim dhe modifikim të armëve të zjarrit.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Bujar Jaupi, me profesion tornitor, i cili u arrestua në flagrancë, janë gjetur dhe sekuestruar 25 silenciatorë për armë të ndryshme të prodhuara nga ky shtetas në tornon që kishte në përdorim në ambientet e banesës, një pistoletë me mulli dhe qindra pjesë për modifikimin dhe riparimin e armëve të zjarrit.

Nga kontrolli i banesës së shtetasit Sokol Gjura, janë gjetur dhe sekuestruar radio si ato të policisë dhe të ushtrisë, një optikë termike speciale për snajper, ndërsa në magazinën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan 20 makineta të reja të lojërave të fatit, 6 tavolina ruleti, një automjet i blinduar, si dhe automjeti i përdorur nga autorët në vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit A. B.

Ndërsa në banesën e shtetasit Paris Prenga janë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike kokainë.

Në banesën e shtetasit Flor Abazi janë gjetur një sasi municioni për armë zjarri, 2 qese me lendë narkotike kokainë dhe një automjet i blinduar.

Po në kuadër të operacionit, nga kontrolli në banesën e shtetasit Arben Sufa, me profesion tornitor, Policia gjeti një pistoletë dhe pjesë për silenciatorë.

Për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera, pasi operacioni vijon për zbadhjen e ngjarjeve të tjera në të cilat dyshohet se janë të përfshirë këta shtetas dhe shtetas të tjerë.

Policia e Shtetit është e vendosur për të krijuar një ambient sa më të sigurt duke parandaluar dhe goditur ashpër të gjithë personat që tentojnë të ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e krimeve kundër personit, në fushën e narkotikëve apo trafiqeve të paligjshme dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të vijojnë bashkëpunimin e shkëlqyer me strukturat e Policisë së Shtetit, duke denoncuar çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112./abcnewes.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!