“I kam vuajtur gabimet”, Sherri: Kjo fitore si barometër, kisha besim te penalltitë

schedule16:54 - 17 Mars, 2021

schedule 16:54 - 17 Mars, 2021

Alen Sherri ishte heroi i Laçit ditën e sotme. Gardiani shkodran bëri mrekullinë në goditjet e penalltive, duke pritur dy penallti dhe i dhënë skuadrës dorë të madhe për të shkuar te triumfi. Pas ndeshjes ai shfaqi qartë gëzimin e tij dhe tregoi edhe forcën që ka marrë nga dita e sotme.

“Të them të drejtën e kam vuajtur pak pjesën e gabimeve, pasi na kanë kushtuar. Sidomos ndeshjen e fundit. E kam vuajtur për faktin se ekipi ka qenë gjithë kohën mirë dhe të vjen keq të lësh pikë për gabime, aq më shumë kur je kryesori. Edhe ulja në stol e të gjitha këto të bëjnë të reflektosh.

E rëndësishme është të rikthehesh. Për mua i fortë është ai që kthehet pas një gabimi, jo ai që është gjithnjë në të njëjtin nivel. Kur kthehesh i fortë pas një gabimi është gjë e madhe. Kam fjalët më të mira për të gjithë çunat, pasi janë djem shumë të mirë edhe jashtë fushe.

Është një grup që ka një harmoni të mirë dhe gjithmonë e kam ndjerë mbështetjen e tyre. Kritikat gjithnjë i kam marrë për bazë, pasi janë për të mirën e punës. Është e vërtetë që sivjet nuk ka qenë porta pika jonë më e fortë. Jam i pari që nuk do të doja të ishte kështu. Kanë ndodhur disa episode për të cilat nuk jap dot shpjegime.

Eliminuam Partizanin, një ekip shumë i fortë dhe rival edhe në kampionat. Ishte një farë barometri për të parë se ku jemi ne dhe Partizani. Më vjen mirë që u kualifikuam dhe pse jo, t’i shkojmë deri në fund. Janë vetëm dy ndeshje, pse jo.

Gjakosja gjatë festës? Ia vlejti (qesh). Është gjakosje prej gëzimit, nuk di si ta them. Normal që ia vlejti. E kisha një lloj besimi që po të shkonim me penallti, pavarësisht frikës se ishte Albani në krahun tjetër, lojtarët tanë do shënonin. Kam shumë besim tek ata, pasi te pjesa e penalltive janë gjuajtësit më të mirë në kampionat”, u shpreh Sherri. /abcnews.al