I jepet nesër lamtumira e fundit futbollisti 17-vjeçar i Trepçës që vdiq sot në fushë

schedule23:24 - 3 Dhjetor, 2022

schedule 23:24 - 3 Dhjetor, 2022

Ish-futbollisti i Trepçës ’89, Erion Kajtazi, që vdiq sot nga një arrest kardiak, do të varroset nesër.

Lajmin e ka bërë të ditur një familjar i tij, Shkumbin Kajtazi, i cili tha se varrimi do të bëhet në ora 14:30.

“Miq e familjarë, djali ma i mirë i familjes, Erioni, na la sot. Varrimi do të bëhet nesër në ora 14:30 në fshatin Zasellë”, ka shkruar Kajtazi, transmeton Klankosova.tv.

Kujtojmë se Erion Kajtazi, vdiq sot gjatë një ndeshje futbollistike, ku në minutat e fundit të pjesës së parë ra pa ndjenja në tokë.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë, ka reaguar edhe FFK-ja ku tha se stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi, por përkundër përpjekjeve, Erioni s’ka dhënë shenja jete.

“Stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi për t’i ofruar ndihmë dhe më pas me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren”.

“Megjithatë, përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve, Erioni nuk ka dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak”, thuhet në njoftimin e FFK-së, përcjell Klankosova.tv.