I grisi bluzën policit pas sherrit për dy stola, avokati nga Lezha dërgohet me urgjencë në spital

schedule10:43 - 28 Tetor, 2020

schedule 10:43 - 28 Tetor, 2020

Avokati Gjergj Neli i cili u arrestua një ditë më parë pas sherrit për dy stola poshtë zyrës së tij në Lezhë ka përfunduar në spital mëngjesin e sotëm. Burime bëjnë me dije për abcnews.al se ai ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është shtruar në spitalin rajonal të Lezhës  nga ku pritet të njihet edhe me masën e sigurisë.

Ndërkohë bashkëshortja e tij Shaqe Marinaj që është edhe zv. kryetare e Dhomës së Avokatisë në Lezhë ka denoncuar ditën e sotme pranë SHÇBA efektin e policisë Myrteza Mehmeti duke pretenduar se ai e ka dhunuar atë dhe të shoqin.

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 të ditës së djeshme ku çifti i avokatëve u konfliktuan me një person për dy stola që kishin vendosur poshtë pallatit ku kishin edhe zyrën. Banorët e zonës kanë njoftuar policinë e cila ka ndërhyrë për të shuar sherrin. Në momentin e ndërhyrjes së policisë Neli është konfliktuar me një nga efektivët dhe sipas njoftimit zyrtar e ka goditur me grusht i ka grisur edhe bluzën.

Shaqe Marinaj, rrëfeu për mediat versionin e saj të konfliktit. Ajo tha se u godit dhe dhunua së bashku me burrin nga policia. Shaqe Marinaj kishte një apel për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj që të veprojë sa më shpejt./mv. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!