I grabitën makinën në Milot, babai i 21-vjeçarit: Qëlluan me kallash, djalin e nxorën nga mjeti me pistoletë te koka

schedule15:32 - 7 Shtator, 2021

schedule 15:32 - 7 Shtator, 2021

Rrahman Ahmetaj,  babai i 21 vjeçarit Meriton Ahmetaj ka rrëfyer se si ra djali pre e grabitjes në Milot. Ahmetaj thotë se i biri ishte duke u kthyer nga Budva, ku kishte qenë së bashku me kushëririn e tij.

Ai rrëfen se në Milot janë ndaluar nga një automjet e pajisur me drita policie dhe pas saj ka ardhur edhe një mjet tjetër që i ka bllokuar. Sipas tij grabitësit i kanë kërcënuar dy të rinjtë me armë dhe kanë qëlluar edhe me kallashnikov në ajër, ndërsa iu morën automjetin me të cilin udhëtonin dhe gjithçka tjetër që kishin brenda.

 “Për policinë mund të them fjalë falenderuese sepse kemi qenë në natën kritike në rajonin e policisë në Laç. Kemi takuar shefat e policisë. Për ne kanë qenë të gatshëm me na dhënë ndihëm maksimale. Atë që besoni ju është mundësia që për mos me humb pistat e dyshimit, përndryshe rasti jonë është me jehonë. I kam shkruajtur letër edhe presidentit. Nivelet më të larta të policisë së shtetit janë informuar.

Djali im me një bashkëudhëtar Fatlind Morina kanë qenë duke kthyer nga Budva, kur kanë ardhur në Milot kanë marrë pije dhe kanë vazhduar rrugën në drejtim të Rrëshenit. Kanë kaluar 5-6 km nga Miloti dhe janë futur një kthesë me errësirë, papritmas u është ndezur drita vezulluese me shenja të policisë. Jo fëmija im 21-vjeçar, por në momentin që grabitet me shenja të policisë është ndalë. Ka menduar se është makinë policie dhe ka menduar me i dhënë dokumentet. Makina e dytë ka dalë me një shpejtësi të madhe e kanë bllokuar dhe kanë filluar të shtëna me kalash në ajër.

Dy persona i kanë shkuar djalit tim te xhami me britma dhe persona të tjerë nga ana tjetër nga shoqëruesi i djalit, kanë bërë të njëjtën veprim, do t’ju vrasim, i kanë nxjerrë makina, i kanë shtrirë përtokë, i kanë bastisë, u kanë marrë të gjitha sendet dhe kanë filluar rrugën në drejtim të Morinit. Fëmijët kanë mbetur në rrugë të traumatizuar. Kanë kërkuar ndihmë nga kalimtarët, askush s’ka guxuar me u dhënë ndihmë. Kanë filluar rrugën drejt Milot dhe kanë bërë 1 km rrugë kur një person me tabela shqiptare, ka hapur gjysmën e xhamit dhe ka thënë po lajmëroj policinë, është kthyer, ka shkuar të lajmërojë policinë. Ka ardhur policia dhe i ka marrë çunat, i ka çuar në komisariat në Laç. Unë si prind nuk kam ditur gjë, kur m ë kanë bërë telefon prej komisariati. Djali im Meritoni më tha më ka ndodhur kjo gjë,” shprehet ai.

Ahmetaj hedh poshtë pretendimet e policisë se të rinjtë nuk janë kërcënuar me armë, por vetëm ka pasur një përplasje verbale.

“Jo nuk është e vërtetë, aspak nuk është e vërtetë. Asnjë nuk e jep makinë nëse të thotë me fjalë. Kanë marrë makinën nën kërcënimin e armëve, me pistoletë në kokë është nxjerrë djali prej makinës. Unë kam bërë rrugën pre Morini deri në Laç dhe asnjë patrullë policie në rrugë nuk kam parë në rrugë. Grabitësit kanë qenë me maska, kallashnikov dhe pistoletë. Iu kanë marrë telefonat, portofolat, kanë pasur rrobat në makinë,” tregon ai. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!